Molliqaj drejton gishtin kah Kurti: E ka urdhëruar aksionin policor kundër nesh

Kreu i Partisë Socialdemokrate ka folur për aksionin e partisë së tij që u zhvillua të premtën, ku u arrestuan aktivistët e kësaj partie përfshirë edhe vetë kryetarin Molliqaj.


Molliqaj në Pressing të T7 tha se aksioni i Policisë ishte urdhëruar nga Qeveria dhe shton se ndaj aktivistëve është ushtruar dhunë gjatë arrestimit por edhe në veturat e Policisë deri në stacionin policor.

Ndaj Molliqajt ishte shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë. Ai tregon se kishte qëndruar në burgun e Ferizajt pasi që në Prishtinë nuk kishte vend.

“Isha në Ferizaj për shkak se në qendrën e ndalimit në Prishtinë nuk kishte vend, dhe më dërguan në Ferizaj. Aksioni I PSD-së ishte i drejtë, i nevojshëm. Ndërhyrja e Policisë ishte e tepruar. Inspektorati është i vetëmi organ që nuk është prekur nga dora e Xhelalit dhe Albin Kurtit. Presioni publik e ka bërë të vetën. Inspektorati e ka shkarkuar udhëheqësin e aksionit për dhunën që u përdor. Dhuna ndaj aktivistëve u vazhdua edhe në veturat e Policisë së Kosovës deri në stacionin e Policisë”, ka thënë Molliqaj.

Ai shtoi se reagimi i Qeverisë për dhunën që u ushtrua ndaj aktivistiëve erdhi vetëm pasi Inspektorati shkarkoi udhëheqësin e aksionit policor.

“Qeveria e Kosovës e ka urdhëruar aksionin. Reagimi I Qeverisë në ora 23 ishte pasi e kanë marrë vesh shkarkimin e udhëheqësit të aksionit, të thotë që ne jemi të pakënaqur për dhunën.

Të gjitha qeveritë që deklarohen për të drejtën e protestës janë qeveri autoritare. Vetëm ai që s është për të, deklaron që është për të”, ka shtuar Molliqaj.