Deputeti Dardan Molliqaj ka deklaruar se procedurat e lëshimit të fletarrestit për të dhe e arrestimit të tij sot, u përcollën me shkelje ligjore.
Në një intervistë në Info Magazine, Molliqaj përmendi dy probleme.
“E para ishte që proceduralisht ishte joligjor për shkak se deri tek arrestimi shkon nëse pala refuzon të paraqitet në prokurori. Prokuroria e Kosovës duhet të dalë me një kërkim falje ndaj meje sepse po e thotë një të pavërtetë. Prokuroria duhet të dërgojë ftesë të shkruar fizikisht. Një ftesë llogaritet e dërguar nëse personi e ka nënshkruar pranimin, apo anëtarët e afërt që nënshkruajnë kur e pranojnë ftesën. Unë ju siguroj që askush nga të afërmit e mi, aq më pak unë, nuk kemi pranuar ftesë. Le të bëjë publike kush e ka pranuar ftesën në ketë rast. Pastaj ka një absurditet të arrestimit. Gjykata dhe prokuroria në vikend nuk punojnë, përveç rastet emergjente dhe kujdestaria. Të gjitha rastet trajtohet me procedurë të shpejtë. Sipas shkresës, vendimi për fletarrest ndaj meje është marre dje, e diel, përkatësisht me datën 12”, ka deklaruar Molliqaj.
Molliqaj beri të ditur se kishte qëndruar për disa orë për shkak të problemeve teknike, dhe se ka refuzuar të deklarohet, siç tha për rastin për shkak të shkeljeve që ishin bërë, dhe se ishte liruar.
Megjithatë gjithë kjo ngjarje për të nuk është e zakonshme.
“Kërkesa nga prokurori ka shkuar më 10 prill. Një muaj nuk është marrë vendim dhe është zgjedh dita e diel ku nuk merren vendime të zakonshme! Cila ishte ideja e një spektakli të tillë?”, ka thënë ai.
Rasti për të cilin u arrestua sot Molliqaj, lidhej me një protestë që ishte organizuar kundër arrestimit te Albin Kurtit në vitin 2015.
E për veprimet e tij para katër vjetësh ai tha se nuk është pishman.
“Absolutisht nuk jam pishman. Të gjitha protestat që kam marrë pjesë besoj që kanë qenë të drejta. Njëjtë si pra katër vjetësh edhe sot me shkelje ligjore janë bërë të dyja arrestimet”, ka shtuar deputeti i PSD-së.
Ndryshe, Molliqaj u arrestua sot në lidhje me pjesëmarrjen në protestën kundër arrestimit të Albin Kurtit, me arsyetimin se ai nuk është paraqitur në gjykatë.