Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka thënë se Vjosa Osmani nuk është në nivelin e detyrës unifikuese të presidentit. Ky reagim i Molliqaj erdhi pasi presidentja nuk e përmendi askund UÇK-në në postimin dedikuar betejës së Koshares.
“Vjosa Osmani nuk është në nivelin e detyrës unifikuese të presidentit. Kjo jo vetëm për rolin e saj përçarës politik në të tashmen. Ajo po i rikthen problemet e të shkuarës. Mezi ishte arritur një pajtim tejpartiak që kur flasim për luftën flasim në radhë të parë për UÇK-në. Ajo nuk lë rast pa e shmangur, pa e munguar UÇK-në. Kur UÇK-ja është në akuzë, ajo ka zgjedhur shmangien, harresën e qëllimshme. Roli i saj revizionist karshi ngjarjes UÇK i shkon fort për shtati liliputëve si Kurti që i flasin tërë jetën historisë, vetëm për t’u bërë vëzhgues i saj në momentin kyç, kur ndalet koha dhe hapet fusha”, shkroi ai.
“Asnjë nga njerëzit e UÇK-së nuk udhëheq me vendin sot. Disa janë në Hagë, me gjasë edhe shumë të tjerë do të shkojnë. Tash që ata s’janë pengesë, është historia e UÇK-së pengesë. Vjosa Osmani e dëmton idenë e lirisë kur historinë e luftës e redukton në ideologji viktimizuese, sado dhimbje që kemi për viktimat secili prej nesh”, tha Molliqaj.