Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, i cili nuk arriti të fitonte një mandat të dytë si deputet, ka komentuar që në nisje seancën konstituive.
Sipas Molliqajt, VV e LDK po bëjnë populizëm teksa po justifikojnë luftën për ndarje të pushtetit, shkruan Reporteri.net.
Molliqaj thekson se shpërfaqja e, siç i quan ai popullistëve, nis atëherë kur i bëjnë të gjitha veprimet e qeverive që dikur i kishin kritikuar.
Ai ka përmendur bllokimin e krijimit të institucioneve, lënien e Kosovës pa buxhet e po ashtu edhe pazarin me poste, si pika që sipas tij tregojnë populizmin e këtyre dy partive./Reporteri.net
Publikimi i plotë i Molliqajt:
Shpërfaqja e parë e popullistëve ndodhë kur fillojnë t’i bëjnë vet të gjitha veprimet e qeverive që dikur i kishin kundërshtuar.
– Me të drejtë e kundërshtonin bllokimin e shtetit nga PDK-ja dikur, por ja ku po e bllokojnë sot vet për po të njëjtat arsye të PDK-së dikur;
– Me të drejtë e akuzonin pushtetin e kaluar që po e lë Kosovën pa buxhet, për interesa partiake e personale, por sot vet po e bëjnë këtë për po të njëjtat arsye;
– Me të drejtë i akuzonin partitë që marrëveshjet qeverisëse po i bazojnë në pazare për kulaçin e pushtetit e jo në program e parime, sot po e shihni se si i kanë shndërruar Ministrin ë e Punëve të Brendshme dhe Presidencën në monedha pazari për po të njëjtin kulaç të pushtetit.
Është shpërfaqja e parë, por jo e fundit, e popullizmit të VV dhe LDK-së. Pazare për pushtetarët, jo mirëqenie për qytetarët. Ky mund të jetë slogani i ri i tyre.