×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme

    Momente nga përplasja e protestuesve shqiptarë në Hagë pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së

    Reporteri
    16 Shtator 2026 | 15:44

    Protesta e protestuesve shqiptarë në Hagë ka eskaluar në përplasje me policinë holandeze pas shpalljes së vendimit dënues ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momente të tensionuara në Hagë, ku policia ndërhyri ndaj një pjese të protestuesve duke përdorur top uji dhe sprej me piper, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Sipas mediave holandeze, tensionet nisën pasi një pjesë e protestuesve, pas përfundimit të tubimit, tentuan të lëviznin drejt Raamweg, ku ndodhen Dhomat e Specializuara të Gjykatës. Policia tha se marshimi drejt kësaj zone nuk ishte i autorizuar dhe vendosi një kordon për të bllokuar kalimin.

    Situata më pas eskaloi në përplasje. Drejt policisë u hodhën gurë, degë dhe flamuj, ndërsa disa persona u ngjitën mbi një autobus të policisë në lëvizje.

    Sipas mediave holandeze pati policë të lënduar, dhe protestues të arrestuar. Pas ndërhyrjes së forcave policore, raportohet se situata u vu nën kontroll dhe protestuesit u shpërndanë.

    Përplasjet ndodhën pasi Dhomat e Specializuara në Hagë shpallën vendimin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Ish-presidenti Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet.

    Protestuesit shqiptarë ishin mbledhur në Malieveld për të shprehur mbështetjen për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin, të cilët i kanë mohuar akuzat ndaj tyre. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!