Policia e Kosovës pak më parë ka bërë të ditur se po dyshohet që tre zyrtarë kufitar patrullues janë kidnapuar, në thellësi të territorit të Kosovës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Në rrjete sociale janë publikuar disa pamje ku pretendohet se shfaqin momentin e kidnapimit të policëve kosovar, ndërsa Policia e Kosovës ka njoftuar se veprimi është kryer nga persona të maskuar.
Policia e Kosovës ka njoftuar se janë kontaktuar të gjitha mekanizmat vendor dhe ndërkombëtar që të njëjtit të lirohen sa më parë dhe të kthehen në Polici të Kosovës.
Mediat serbe raportojnë se policët e Kosovës “u arrestuan” nga policia e Serbisë.
Edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me këtë rast, teksa ka thënë se kjo është shkelje e çdo marrëveshje dhe kundër çdo parimi të normave ndërkombëtare.
Ai gjithashtu ka kërkuar nga ndërkombëtarët që të rrisin presionin ndaj Serbisë, dhe zyrtarët policorë të lirohen sa më shpejtë.
“Kërkojmë nga faktori ndërkombëtar të rrisë urgjentisht presionin ndaj Serbisë që jo vetëm të lirojë zyrtarët tanë policorë por edhe të ndalë provokimet e saj. Sjellje të tilla kriminale të Serbisë nuk na ndalin në rrugëtimin tonë të forcimit të sovranitetit në vend”, ka shkruar Sveçla./Reporteri.net/