Me arkivolin e mbështjellur me flamujt të Shqipërisë dhe Kosovës, Haxhi Thaçit iu dha lamtumira e fundit në fshatin Burojë të Skenderajt.
Pjesë e ceremonisë së vorrimit ishin mbledhur qytetarë anë e kënd Kosovës. Të pranishëm ishin edhe figura të shumta të politikës dhe jetës publike.
Një moment prekës në këtë ceremoni ishte edhe kur nipi i të ndjerit, Endriti vendosi kurorën e luleve mbi varrin e gjyshit.
Ish-presidentit Thaçi nuk iu lejua nga Dhomat e Specializuara në Hagë të merrte pjesë në varrimin e babait të tij.
Takimi i tyre i fundit ishte ai i të enjtes së javës së kaluar, ku Thaçi erdhi nga Haga dhe qëndroi për tri orë vizitë në QKUK, aty ku babai i tij ishte i shtrirë për shkak të gjendjes shëndetësore.
Në mesin e shumë kurorave që u vendosen mbi varrin e Haxhi Thacit ishte edhe ajo me porosinë nga i biri, Hashimi, të cilin Haga nuk e lejoi të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babait. /Reporteri.net/