×
  • Lajme
  • Lajme / Televizion

    Monopoli në tregun e kabllorëve me vulën e Komisionit të Konkurrencës

    Reporteri
    10 Janar 2024 | 13:49

    Një vendim i vitit 2018 i Autoritetit të Konkurrencës në Kosovë (AKK), u ka mundësuar operatorëve kabllorë, në periudha të ndryshme, të marrin të drejta ekskluzive për transmetimin e kanaleve të DigitAlb për Kosovë, duke përjashtuar nga kjo e drejtë secilin operatorë tjetër në treg

    Vendimi i cili është marrë në kohën kur në krye të Autoritetit të Konkurrencës ishte Valon Prestreshi, e legjitimon mundësinë e monopolit në tregun e shërbimeve audiovizuele në Kosovë, duke iu referuar një direktive të Bashkimit Evropian.

    Në atë vit, marrëveshjen me të drejta ekskluzive për transmetimin e kanaleve të DigitAlb-it nga Shqipëria, e gëzonte vetëm platforma kabllore e IPKO-s. Kjo marrëveshje ishte nënshkruar që nga data 1 prill e vitit 2014 dhe do të ishte në fuqi për 5 vite rresht, përcjell Buletini Ekonomik. Kundër kësaj marrëveshjeje, po atë vit, Telekomi i Kosovës kishte hapur rast në Autoritetin e Konkurrencës, me pretendimin se “marrëveshja ekskluzive” mes DigitAlb-IPKO përbën shkelje të rëndë të dispozitave të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës.

    Pretendimet e Telekomit

    Në ankesën e Telekomit të Kosovës thuhej se IPKO dhe DigitAlb për më tepër se 13 vite kanë pasur të nënshkruar kontratë ekskluzive, me të cilën IPKO ishte distributor ekskluziv i produkteve të kompanisë DigitAlb për Kosovë, marrëveshje kjo e cila nuk kishte lejuar që asnjë operator tjetër i licencuar të ketë qasje në paketën e programeve DigitAlb, duke ngritur kështu dyshime për monopol në tregun përkatës dhe duke dëmtuar konkurrencën e lirë dhe të garantuar në treg.

    Kabllori televiziv – “Telekomi i Kosovës”, në ankesë kishte thënë se ishin përjashtuar nga gara e produkteve televizive të DigitAlb-it, edhe pse, sipas tyre, posedonin infrastrukturë më të zhvilluar të rrjetit të telekomunikimeve. Kjo për shkak se ky operator, gjatë bisedimeve me DigitAlb-in, ishte refuzuar nga bashkëpunimi i mundshëm, siç kanë thënë ata– “si pasojë e klauzolave kundërligjore që përmbante kontrata me IPKO-n”.

    “Kontrata ekskluzive komerciale është konfidenciale dhe nuk është e publikuar përveçse zyrtarisht janë deklaruar se IPKO është distributor ekskluziv i DigitAlb-it”, thuhej ndër të tjera në ankesën e Telekomit drejtuar Komisionit për Konkurrencë.

    Në ndërkohë, pas shkëputjes së marrëveshjes së DigitAlb me IPKO-n, operatori Artmotion arriti marrëveshje të njëjtë me të drejta ekskluzive për transmetimin e kanaleve të DigitAlb për Kosovë, duke u bazuar pikërisht në vendimin e vitit 2018 të Autoritetit të Konkurrencës.

    Marrëveshjen me të drejta ekskluzive, e ka konfirmuar vetë e DigitAlb.

    Vendimi i AKK-së që “legjitimoi” monopolin

    Ndërkaq, në vendimin e 2018-s të AKK-së, tek pikat ankimore të Telekomit për AKK-në, ceken pretendimet e Telekomit dhe vlerësimet e tyre se cilat dispozita të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës janë shkelur nga marrëveshja me të drejta ekskluzive DigitAlb-IPKO.

    “10. Paraqitësi i iniciativës (Telekomi) pretendon se IPKO ka pozitë dominuese në tregun përkatës sipas nenit 10 të Ligjit 03/L-229 për Mbrojtjen e Konkurrencës; 11. Ndër tjera paraqitësi i iniciativës kërkon nga Autoriteti që të vlerëson nëse ekziston Abuzimi me Pozitën Dominuese; 12. Paraqitësi i iniciativës kërkon që Autoriteti, konform dispozitave të Ligjit, të hulumtojë në detaje dispozitat e kontratës komerciale ndërmjet Ipko dhe Digit ALB e që sipas tyre kjo kontratë ka tiparet e marrëveshjes së ndaluar nga neni 4 pika 1,2 dhe 3 dhe abuzim me pozitën dominuese nga neni 11 i Ligjit 03/L-229 për Mbrojtjen e Konkurrencës.“

    Ligji për Mbrojtjen e Konkurrencës, neni 5, ndalon “të gjitha marrëveshjet që kanë për qëllim parandalimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në tregun përkatës”.

    Sipas këtij neni, ndalohen veçanërisht “marrëveshjet që drejtpërdrejt ose tërthorazi caktojnë çmimet e shitblerjes ose çdo kusht tjetër tregtimi; kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet; ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit; zbatojnë kushte të ndryshme për transaksione të njëjta me ndërmarrje të tjera tregtare, duke i vendosur ato në pozitë të pafavorshme konkurruese; kushtëzojnë lidhjen e kontratës me pranimin nga palët kontraktuese të detyrimeve shtesë që për nga natyra ose përdorimi tregtar nuk kanë lidhje me objektin e kontratës”, etj.

    Ndërkaq, IPKO në komentet e tyre për ankesat e Telekomit, kishte thënë se “Ekskluziviteti i ofruar sipas marrëveshjes nuk paraqet IN PERSEI (në vetvete) as shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës në përgjithësi dhe as marrëveshje të ndaluar në kuptim të nenit 4 të LMK-së në veçanti. Në lidhje me këtë është me rëndësi të theksohet se ekskluziviteti jo vetëm se nuk është një ndër elementet për të përcaktuar nëse një marrëveshje është e ndaluar sipas nenit 4 të LMK-së, por gjithashtu se të drejtat ekskluzive të transmetimit janë një prej shtytësve kryesor në tregun e transmetimit në Kosovë në përgjithësi dhe në tregun PAY TV në veçanti”.

    Madje, në një prej përgjgjeve të IPKO-s, thuhej se “TK përpiqet që të shtyjë Autoritetin Kosovar të Konkurrencës, që të mbrojë Telekomin e Kosovës, si konkurrent në tregun e transmetimit në Kosovë në dëm të konkurrentëve tjerë të ligjshëm dhe në këtë mënyrë të ç’rregullojë konkurrencën në këtë treg”.

    Në përgjigjet e tyre ndaj pretendimeve të Telekomit, IPKO përmend edhe një vendim të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, e cila në një rast të caktuar, kishte gjetur se ekskluziviteti – në vete- nuk paraqet shkelje të konkurrencës.

    Sipas IPKO-s atëkohë, marrëveshja mes tyre dhe DigitAlb, nuk mund të cilësohej se shkelë Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës vetëm për faktin se përmban ekskluzivitet të të drejtave të transmetimit, dhe “për këtë arsye kërkesa e Telekomit që marrëveshja dhe klauzolat e veta të ekskluzivitetit të cilësohen si nule duhet të refuzohen në tërësi, si faktikisht dhe ligjërisht e pa-themeltë”.

    Pas këtyre ankesave dhe kundërpërgjigjeve të operatorëve të përmendur, kishte pasuar edhe vendimi i Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës në Kosovë.

    Ky Komision i kishte japur të drejtë kabllorit IPKO, duke i cilësuar si të pabaza ankesat e Telekomit të Kosovës.

    Në arsyetimin e tyre, thuhet se për të vlerësuar Marrëveshjen e bashkëpunimit të ndërmarrjeve DigitALB dhe IPKO, Komisioni i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës ka përdorur nenin 3 paragrafin 1.1 dhe nenin 66 të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, ku thuhet se: “Zbatimi i këtij Ligji duhet të jetë në pajtim me direktivat e Bashkimit Evropian për Konkurrencën”.

    Duke u bazuar në këto direktiva, AKK marrëveshjen me të drejta eksluzive mes IPKO-s dhe DigitAlb-it, e kishte cilësuar si Marrëveshje Vertikale.

    Çka janë Marrëveshjet vertikale?

    E marrëveshjet vertikale, sipas Komisionit Evropian përfshijnë:

    “Marrëveshje për një markë të vetme (Single branding); Marrëveshja për Shitjen vetëm individëve me te njëjtën marke; Shpërndarje Eksluzive (Exclusive distribution) – Marrëveshja për shpërndarje ekskluzive (për përjashtimin e te tjerëve ne hapësirën e caktuar gjeografike); Alokim ekskluziv i konsumatorëve (Exclusive customer allocation) — Marrëveshja për Alokimin ekskluziv te konsumatorëve – (shitja vetëm një distributori për shitje te mëtutjeshme grupit te caktuar te konsumatorëve); Shpërndarje Selektive (Selective distribution) – Marrëveshja për shpërndarje selektive (jo te gjithë ndërmjetësuesve, por jo vetëm njërit; Furnizim Ekskluziv (Exclusive supply); Marrëveshja për paradhënie (pages paraprake) – (avans) për qasje në rrjet; Marrëveshjet e menaxhimit të kategorisë (Category management agreements) Marrëveshja e menagjimit te artikujve te ngjashëm – kategorisë; Lidhjet (Tying) – Marrëveshja për shitjen e produkteve te lidhura – nëse dëshiron me e ble nje produkt atëherë je i detyruar me e ble edhe produktin tjetër”.

    Kështu që, sipas Autoritetit të Konkurrencës, marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet ndërmarrjeve DigitALB dhe IPKO ka pasur si objekt që t’i japë të drejtën ekskluzive IPKO’s të shpërndajë në platformën e vet kabllore kanale të përcaktuara nga palët, pjesë e platformës DigitALB, të cilat do të ofrohen nga DigitALB.

    Prandaj, gjithnjë duke iu referuar vendimit të AKK-së të vitit 2018, këtë Marrëveshje Vertikale, duke u bazuar në “Guidlines on vertical restraints” të Komisionit Evropian, pika 2.2 paragrafi 151, Komisioni i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës e kishte cilësuar si “Marrëveshje Ekskluzive të Shpërndarjes”, sepse sipas tyre, në një marrëveshje ekskluzive të shpërndarjes, furnizuesi pranon të shesë produktet e tij vetëm për një distributor për rishitje në një territor të caktuar.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!