Prokuroria Themelore në Prizren, të mërkurën, ka ngritur aktakuzë kundër zyrtarit doganor P.X., nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.
Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për media, ku thuhet se ekziston dyshimi se zyrtari në fjalë ka marrë 20 euro ryshfet.
“Sipas aktakuzës, i pandehuri P.X., me datë 16.09.2021 rreth orës 22:10, në pikë kalimin kufitar në Vërmicë, në cilësinë e personit zyrtar- Doganier i Doganave të Kosovës, në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkon dhe pranon përfitim pasuror për vete në mënyrë që i njejti të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që qytetari V.K., me rastin e kalimit në pikën doganore duke drejtuar automjetin e tij, me t’u ndaluar nga ana e të pandehurit është pyetur nëse ka ndonjë mall për ta doganuar i cili ka deklaruar se në bagazhin e veturës së tij ka dy autopjesë të përdorura, për të cilat i pandehuri ia ka kumtuar shumën e taksës doganore për të cilat dëshmitari detyrohej ta paguante, mirëpo i njejti shfrytëzon rastin dhe kërkon privatisht nga dëshmitari shumën prej 50 € (Pesëdhjetë euro) në mënyrë që ky i fundit të mos i nënshtrohej taksës doganore, derisa dëshmitari paraprakisht ka raportuar rastin tek Autoriteti i Hetuesisë Doganore dhe pajtohet që t’ia jap të pandehurit shumën prej 20 € (Njëzet euro) ashtu që i pandehuri pranon paratë në fjalë dhe e liron dëshmitarin”, thuhet në komunikatë, raporton Betimi për Drejtësi.
Në fund, bëhet e ditur se prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cila i vihet në barrë.
Ndryshe, P.X. akuzohet për veprën penale nga neni 421, paragrafi 1 të Kodit Penal, kryesi I së cilës dënohet me gjobë dhe me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet.