×
  • Lajme
  • Lajme

    MPJD kërkon nga Serbia që të lirojë Nezir Mehmetajn

    Reporteri
    06 Mars 2020 | 14:03

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare, në veçanti Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, të bindin Beogradin zyrtar për të ndalë fabrikimin e akuzave, maltretimet dhe arrestimet e pabazuara, me të cilat në vazhdimësi përballën shtetasit e Republikës së Kosovës, gjatë udhëtimit nëpër territorin e Republikës së Serbisë.


    Shkas për këtë deklaratë, është vazhdimi i paraburgimit nga autoritetet serbe për shtetasin kosovar, z. Nezir Mehmetaj, i cili u arrestua nga policia serbe më 3 janar, në pikën kufitare në Merdare, derisa po kthehej nga një vizitë mjekësore me nënën e tij nga Nishi në Kosovë, me pretekstin se dyshohet për krime lufte.

    Kjo është deklarata e plotë e MPJD:

    ”Zyra Ndërlidhesë e Republikës së Kosovës në Beograd është përpjekur për të siguruar lirimin e z. Mehmetaj, familja e të cilit ka angazhuar një avokat lokal, mirëpo në vend të lirimit, Prokuroria serbe ia ka zgjatur paraburgimin, duke dëshmuar edhe njëher se Drejtësia serbe e ka të pamundur të tregohet e paanshme ndaj shtetasve të Republikës së Kosovës. z. Mehmetaj vizitohet në baza javore nga Zyra Ndërlidhese e Republikës së Kosovës në Beograd.

    Poashtu, pas njoftimit nga Zyra Ndërlidhëse, Zyra e Përfaqesuesit të Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së ka bërë të ditur se është duke ndjekur nga afër rastin në fjalë.

    Kjo praktikë e autoriteteve serbe është në kundërshtim edhe me Marrëveshjen e Brukselit. Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës do të mbetet e angazhuar në mënyrë aktive për të siguruar lirimin e z. Mehmetaj dhe kthimin e tij në familje.

    Serbia duhet, të ndalojë me përndjekjet dhe arrestimet politike të shtetasve të Kosovës, të respektojë të drejtat elementare të njeriut, njëra prej të cilave është edhe e drejta e lëvizjes së lirë”./Reporteri/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!