×
  • Lajme
  • Lajme / Dokument

    MPJD s’arrin të gjejë kompani të hajrit për shërbime postare diplomatike, shpall tender të ri 300 mijë euro

    Reporteri
    09 Janar 2025 | 9:37

    Kryediplomatja Donika Gërvalla s’po arrin ta gjejë një kompani të hajrit për ta angazhuar për shërbimet postare diplomatike. Kontratën që e kishte lidhur me kompaninë A.L. DUSHI SH.P.K., MPJD e kishte shkëputur në tetor të vitit të kaluar, pas zhdukjes së qindra dokumenteve. Prej atëherë, Ministria ka shpallur e anuluar disa tendere për këto dërgesa. Një tender i ri është shpallur sot, në vlerë 300 mijë euro, 50 mijë euro më shumë se tenderi paraprak që ishte anuluar pastaj, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka shpallur tender të ri për shërbime postare diplomatike. Vlera e këtij tenderi është 300 mijë euro.

    Kohëzgjatja e kontratës parashihet të jetë për 36 muaj dhe me të parashihen dërgesat e dokumenteve dhe materialeve tjera diplomatike në Evropë, ShBA, Kanada, Australi, Azi dhe Afrikë.

    Ky është tenderi i dytë që shpallet në më pak se tre muaj. Tenderi i fundit që është shpallur ishte anuluar më 17 dhjetor 2024. Vlera e këtij tenderi ishte 250 mijë euro.

    Për këtë tender kishin ofertuar kompania “3P SH.P.K” dhe “A.L. DUSHI SH.P.K”, e cila më herët kishte pas kontratë për këto shërbime, por që i ishte ndërprerë pas zhdukjes së qindra dokumenteve. Të dyja këto kompani ishin eliminuar.

    E para ishte anuluar shkaku që nuk i ishte përgjigjur kërkesës së Ministrisë së Punëve të Jashtme për sqarime të çmimeve.

    “Komisioni ka kërkuar sqarime për çmimet standarde me të cilat operon momentalisht me individ të tjerë, me datë 13.12.2024, dhe nuk jeni përgjigjur kërkesëss së AK, prandaj bazuar në Rregulloren NR.001/2022 për Prokurimin Publik – Neni 38 Sqarimi i tenderëve, pika 38.7 Nëse OE dështon të përgjigjet brenda afatit kohor të specifikuar nga AK sipas paragrafit 38.6 tenderi përkatës do të refuzohet”, thuhet në dosje.

    Kompania e dytë ishte anuluar shkaku që s’kishte dorëzuar garancionin e sigurisë së tenderit.

    Para këtij tenderi, në nëntor MPJD kishte anuluar edhe një tjetër tender që synonte ta jepte me negocim, e që ishte emergjent. Vlera ishte 39 mijë euro.

    Gazeta Online Reporteri.net kishte raportuar në fund të tetorit të vitit 2024 se si qindra pasaporta diplomatike nuk kanë shkuar në duart e njerëzve që i kanë porositur ato nga kompania: A.L. DUSHI SH.P.K, që ishte kontraktuar nga ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

    Pas zhdukjes së këtyre dokumenteve, MPJD-ja e kishte ndërprerë kontratën me këtë kompani.

    Reporteri.net kishte siguruar vendimin për ndërprerjen e kontratës, ku përmendej se 406 pasaporta, 165 letërnjoftime dhe 4 vendime për lirim/fitim shtetësie s’kanë arritur në destinacione. Për këto dokumente Reporteri.net kishte mësuar se janë zhdukur.

    Kontrata e shërbimeve postare diplomatike, me numër 216-23-13152-2-1-1, ishte ndërprerë zyrtarisht pas pranimit të rekomandimit nga menaxheri i kontratës, i cili e dërgoi  një rekomandim tek Departamenti i Prokurimit, duke argumentuar se operatori ekonomik ka dështuar në përmbushjen e afateve kohore të përcaktuara në kontratë.

    Skandali në MPJD, dyshohet se 406 pasaporta dhe 165 letërnjoftime u zhdukën nga kompania së cilës i’u ndërpre kontrata

    Në këtë dokument thuhej se një nga shkeljet më të mëdha ishte mosrespektimi i afateve kohore për dërgesat diplomatike.

    “Dërgesat e para nuk arritën brenda afatit të specifikuar prej 24-48 orësh në Zonën 1. Kjo shkelje e vazhdueshme u shoqërua me paralajmërime nga menaxheri i kontratës, i cili më 26 qershor 2024 dërgoi një vërejtje me shkrim ndaj operatorit. Edhe pse operatori u paralajmërua, një dërgesë tjetër, e nisur më 3 korrik 2024, përsëri nuk arriti në destinacion brenda kohës së caktuar. Kjo përkeqësoi situatën dhe vërejtja e parë me shkrim u dërgua zyrtarisht më 5 korrik 2024”, thuhet në vendim.

    Kostoja totale e kontratës ishte 250,000 euro, ndërsa deri në ndërprerje ishin kryer pagesa prej 22,177.78 euro për periudhën qershor-shtator”, thuhet në vendimin për ndërprerje të kontratës.

    Ndërprerja e kontratës ishte bërë pas një periudhe të gjatë ankimimesh nga qytetarët dhe përfaqësitë diplomatike të Kosovës për vonesat dhe cilësinë e dobëta të shërbimeve.

    “Dërgesat e para nuk arritën brenda afatit të specifikuar prej 24-48 orësh në Zonën 1. Kjo shkelje e vazhdueshme u shoqërua me paralajmërime nga menaxheri i kontratës, i cili më 26 qershor 2024 dërgoi një vërejtje me shkrim ndaj operatorit. Edhe pse operatori u paralajmërua, një dërgesë tjetër, e nisur më 3 korrik 2024, përsëri nuk arriti në destinacion brenda kohës së caktuar. Kjo përkeqësoi situatën dhe vërejtja e parë me shkrim u dërgua zyrtarisht më 5 korrik 2024”, thuhet në vendim.

    Situata u përkeqësua me një incident tjetër të rëndë më 1 korrik 2024, kur një dërgesë nga Ambasada e Kosovës në Romë për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) mbërriti me zarfe të dëmtuara, përfshirë lëndë gjyqësore. Menaxheri i kontratës reagoi menjëherë, duke i dërguar operatorit ekonomik dëshmi të gjendjes së dokumenteve të dëmtuara dhe kërkoi shpjegime. Një tjetër problem u raportua më 17 korrik 2024 nga Ambasada e Kosovës në Bern, e cila raportoi se posta diplomatike nuk ishte dorëzuar në ambasadë, por ishte lënë në një postë publike jashtë ndërtesës.

    Pas raportimeve të shumta për këtë skandal, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kishte dalë me reagim, ku kishte thënë se se nuk bëhej fjalë për humbje dokumentesh, por për vonesa në mbërritjen e tyre në destinacionet e caktuara, por nuk ishte treguar se ku ndodhen këto dokumente.

    “Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës deklaron që nuk bëhet fjalë për humbje dokumentesh, por për vonesa në mbërritjen e tyre në destinacionet e caktuara.  MPJD siguron qytetarët e Kosovës se pajisja me dokumente do të përshpejtohet dhe se asnjë tolerim nuk do të ketë për operatorët që cënojnë cilësinë dhe ritmin e shërbimeve ndaj qytetarëve tanë”, thuhet në reagim.

    Lidhur me shkëputjen e kontratës me operatorin në fjalë, Ministria ka thënë se kishte shkaktuar vonesa të papranueshme në dërgimin e dokumentave.

    “Si pasojë, MPJD ka ndërmarrë masa të menjëhershme dhe në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi për t’i dhënë fund kësaj kontrate, duke mos lejuar abuzimin me detyrimet ndaj qytetarëve dhe institucioneve të shtetit të Kosovës”, thuhet në reagim.

    Zhdukja e qindra pasaportave dhe letërnjoftimeve, MPJD del me arsyetime

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!