×
  • Lajme
  • Lajme

    MSH me planin e njëjtë të vaksinimit masiv, synon që të administrojë mbi 400 mijë doza të vaksinës anti-COVID në shtator

    Reporteri
    07 Shtator 2021 | 10:50

    Ministria e Shëndetësisë po synon që gjatë shtatorit të tejkalojë numrin e 400 mijë dozave të vaksinës antiCOVID të administruara, duke vazhduar me planin e njëjtë të vaksinimit në masë, në bazë të të cilit nga qershori kanë punuar ekipet e vaksinimit në gjithë Kosovën.


    Mbi gjysmë milioni vaksina kanë ardhur të hënën donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkaq tani në dispozicion në Kosovë janë mbi 600 mijë vaksina anti-COVID.

    Nga fillimi i vaksinimit e deri më tani 57 ekipe mobile dhe 314 ekipe nëpër Qendra të Vaksinimit, kanë dhënë mbi 900 mijë doza të vaksinave nëpër komunat e Kosovës, ndërkaq edhe pas ardhjes së vaksinave Ministria e Shëndetësisë synon që të vazhdojë me planin  e njëjtë, atë të vaksinimit në masë.

    Në një përgjigje për Telegrafin, nga Ministria e Shëndetësisë, kanë deklaruar se nga qershori procesi po zhvillohet sipas Planit të veprimit për vaksinim në masë kundër COVID-19.

    Sipas MSH-së, ky plan është real dhe i zbatueshëm pasi vetëm gjatë muajit gusht janë dhënë mbi 400 mijë doza të vaksinës, shifër kjo që MSH-ja synon ta arrijë, apo edhe ta tejkaloj në shtator.

    “Që nga fillimi i vaksinimit kundër COVID-19 ky proces është bazuar në Planin Shtetëror të vaksinimit, ndërsa nga qershori e këtej procesi zhvillohet sipas Planit të veprimit për vaksinimin në masë kundër COVID-19. Mbi 400 mijë doza të administruara të vaksinës kundër COVID-19 vetëm gjatë muajit gusht janë tregues se plani është real dhe i zbatueshëm. Gjatë shtatorit projeksioni është që të arrihet prapë një shifër kaq e lartë e dozave të administruara apo edhe të tejkalohet”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për Telegrafin.

    Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ekipet mobile kanë vaksinuar deri më tani një numër të madh të qytetarëve të cilët nuk kanë pasur mundësi të shkojnë nëpër Qendra të Vaksinimit për arsye të ndryshme.

    “Prej fillimit të vaksinimit, ka pasur dhe ka ekipe mobile të vaksinimit. Ato vaksinojnë në çdo komunë. Fillimisht kanë vaksinuar nëpër shtëpi persona të palëvizshëm apo ata që kanë probleme të ndryshme për të shkuar në qendrat e vaksinimit, me ekipe mobile janë vaksinuar edhe shumë pacientë të dializës, prej kohësh ekipet mobile vaksinojnë edhe qytetarë të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, e madje edhe raste individuale të qytetareve sipas kërkesave. Janë gjithsej 57 ekipe mobile që vaksinojnë çdo javë nëpër komuna të ndryshme, krahas 314 ekipeve që vaksinojnë në qendrat e vaksinimit në 30 komuna”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

    Ministria e Shëndetësisë thekson se në shtator synojnë që ta arrijnë apo edhe të tejkalojnë shifrën prej 400 mijë dozave të administruara, kurse thonë se do të fuqizojnë edhe më tej kapacitetet e vaksinimit.

    “Përndryshe, MSh do të fuqizojë edhe më tej kapacitetet e vaksinimit dhe trendi aktual i këtij procesi në Kosovë, siguron se objektivi do të arrihet. Prej kësaj jave do të punohet edhe ditën e diele në qendrat e vaksinimit dhe MSH u bën thirrje qytetarëve që të vaksinohen, në veçanti shtatzënave, meqë  nuk ka dëshmi shkencore që vaksinimi ka ndikime negative për shtatzënësinë dhe shtatzënën, përkundrazi, përfitimet shëndetësore janë shume më të mëdha se çfarëdo efekti i mundshëm i lehtë dhe i pritshëm anësor sikurse te kategoritë e tjera”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për Telegrafin.

    Ndryshe, gjatë ditës së djeshme në Kosovë kanë arritur 503 100 doza të vaksinës antiCOVID, që janë pjesë e donacionit të SHBA për Kosovën, të cilat në Kosovë kanë arritur përmes mekanizmit COVAX, ndërsa 53,820 doza të tjera janë nga marrëveshja bilaterale për vaksina kundër COVID-19 midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe kompanisë Pfizer.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!