Gjatë ditës së djeshme Kosova shënoi ditën më të rëndë sa i përket ballafaqimit me pandeminë COVID-19, pasi u shënuan dy vdekje dhe 20 raste të reja të infektuar me koronavirus.
Në mesin e tyre është edhe një rast nga fshati Bllacë i Suharekës. Kryetari i kësaj komune Bali Muharremaj për Reporteri.net ka konfirmuar se bëhet fjalë për një 21 vjeçar i cili kishte pasur kontakte me familjet e prekura në fshatin Banjë të Malishevës.
Muharremaj ka thënë se tashmë pjesëtarëve të familjes së 21 vjeçarit të infektuar u janë marrë mostrat dhe pritet tu nënshtrohen testimeve.
Ai edhe një herë u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes dhe respektim të masave mbrojtëse.
“Është një 21 vjeçar nga fshati Bllace, gjendet për momentin ne fshatin Banje, ka lidhje me familjet e prekura ne Banje me koronavirus. Kemi bo kërkesë edhe 8 pjesëtareve të familjes se tij nga Bllaca me ia marre mostrat për test, por vendos IKSHP kur ua bëjnë testet Kemi materiale mbrojtëse, nuk ka vend për panik, veç i bejë thirrje qytetareve te kenë kujdes”, tha ai për Reporterin.
Kujtojmë se gjatë ditës së sotme janë shënuar edhe 5 raste të reja dhe një vdekje nga koronavirusi në Kosovë. /Reporteri.net