Nënkryetari i LDK-së, Gazmend Muhaxheri ka dalë kundër deklaratës së Avdullah Hotit për shkarkimin e Kryetarit Lumir Abdixhiku, përcjell Gazeta Online Reporteri.net.
Sipas Muhaxherit Abdixhiku s’mund të shkarkohet pasi e ka rritur LDK-në për 70 për qind.
“Është dashtë me punu ma shumë për me dalë rezultati më i mirë. Qysh kur rritet 70% me kërku me u shkarku. Kërkohet me u shkarku dikush kur e zvogëlon partinë jo kur e rritë nuk e di këso logjike ku e kanë pa”, tha ai për Rtv21.
Deklarata e Muhaxheri erdhi pas pakënaqësive të Avdullah Hotit i cili i përmendi disa prej tyre në një postim të gjatë në Facebook.
Hoti tha LDK-ja ka nevojë për një lidership të ri për të kthyer besimin e qytetarëve, dhe se rezultati nga zgjedhjet e 9 shkurtit është i pakënaqshëm e as afër me atë që kanë pritur.
Ai ka thënë se katër vitet e fundit, lidershipi i partisë është angazhuar në ristrukturimin e partisë dhe degëve në gjithë Kosovë, por në shumë raste, kjo është bërë në mënyrë selektive, jostatutore dhe pa konsideratën e nevojshme ndaj disa specifikave të brendshme të LDK-së.
“Personalizimi i fushatës zgjedhore, përbërja e listës, renditja e kandidatëve në listë, paraqitja dhe favorizimi medial i një liste të ngushtë të kandidatëve të LDK-së, si dhe çështje të tjera para dhe gjatë fushatës, kanë dëmtuar kohezionin e brendshëm partiak, me gjithë përpjekjet e të gjithë neve për t’i tejkaluar ato pakënaqësi. Votimi disproporcional në diasporë e ka rënduar dhe cenuar më tutje atmosferën kolegiale dhe bashkëpunuese brenda LDK-së”, ka thënë mes tjerash Hoti.
/Reporteri.net/
Rezultati i dobët në zgjedhje, Hoti godet Abdixhikun: LDK-ja ka nevojë për lidership të ri
Rezultati i dobët në zgjedhje, Hoti godet Abdixhikun: LDK-ja ka nevojë për lidership të ri