×
  • Lajme
  • Lajme / Detajet

    Mundësia që zgjedhjet të mbahen bashkë ende në tavolinë, Cakolli shpjegon tri rrugët – seancat mund të vazhdojnë deri në shtator

    Reporteri
    09 Qershor 2025 | 20:34

    Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), pas caktimit të 12 tetorit si datë për zgjedhjet e rregullta lokale, ka thënë se mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në të njëjtën ditë, mbetet ende në tavolinë, shkruan Reporteri.net.

    Cakolli ka shpjeguar tri rrugët kushtetuese që mund të çojnë në këtë opsion, duke shtuar se për të trija, fillimisht nevojitet konstituimi i Kuvendit. Sipas këtyre opsioneve, seancat mund të vazhdojnë deri në shtator, çdo 48 orë.

    Opsioni i parë është shpërndarja e Kuvendit.

    “Pas konstituimit të Kuvendit:  1. Deputetët duhet të votojnë për shpërndarje (minimumi 80 vota);  2. Presidentja, pas dekretit të shpërndarjes, brenda 10 ditësh cakton datën e zgjedhjeve;  3. Zgjedhjet mbahen 30–45 ditë pas shpalljes së datës. Që zgjedhjet të mbahen më 12 tetor, shpërndarja e Kuvendit duhet të ndodhë në periudhën 18 gusht deri më 2 shtator, ndërsa zgjedhjet duhet të shpallen në periudhën 28 gusht deri më 12 shtator (duke respektuar afatin minimal prej 30 ditësh nga shpallja deri te dita e votimit). Kjo do të thotë se deri atëherë mund të ketë edhe deri në 42 seanca tjera të dështuara (çdo 48 orë)”, ka shkruar Cakolli.

    Sipas tij, opsioni i dytë është dështimi për të zgjedhur Qeverinë brenda 60 ditësh.

    “Pas konstituimit të Kuvendit:  1. Presidentja mandaton kandidatin për Kryeministër; 2. Qeveria nuk formohet brenda 60 ditëve;  3. Kuvendi shpërndahet automatikisht;  4. Brenda 10 ditësh shpallen zgjedhjet, të cilat mbahen 30-45 ditë pas shpalljes.

    Që zgjedhjet të mbahen më 12 tetor, ato duhet të shpallen më së voni më 12 shtator. Kjo nënkupton shpërndarje automatike më së voni më 2 shtator. Ndërsa, mandatimi i kandidatit për Kryeministër duhet të ndodhë më së voni më 4 korrik. Kjo do të thotë se deri atëherë mund të ketë edhe deri në 12 seanca tjera të dështuara (çdo 48 orë)”, thuhet në postimin e tij.

    Ndërkohë, opsioni i tretë është dështimi i dyfishtë për të zgjedhur Qeverinë.

    Pas konstituimit të Kuvendit:  1. Presidentja mandaton kandidatin për Kryeministër; 2. Mandatari i parë ka 15 ditë për të siguruar 61 vota;  3. Nëse dështon, Presidentja ka 10 ditë për të mandatuar një tjetër; 4. Mandatari i dytë ka 15 ditë për të marrë miratimin e Kuvendit; 5. Nëse dështohet sërish, Presidentja shpall zgjedhjet; 6. Zgjedhjet mbahen brenda 40 ditësh.

    Për të mbajtur zgjedhjet më 12 tetor, ato duhet të shpallen më së voni më 2 shtator. Ndërsa, Kuvendi duhet të konstituohet më së voni më 23 korrik. Kjo do të thotë se deri atëherë mund të ketë edhe deri në 21 seanca tjera të dështuara (çdo 48 orë)”, përfundon postimi i tij.

    Sot ka dështuar seanca e 29’të për konstituimin e Kuvendit. E radhës është të mërkurën./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!