Për shkak të mungesës së dëshmitarëve, është shtyrë seanca e së mërkurës në Gjykatën Themelore të Prishtinës ndaj aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët akuzohen lidhur me protestën e vitit 2015.
Në këtë rast, Ylli Hoxha, Premton Iberdemaj, Urim Hasani, Arbër Kaqorraj dhe Armend Loshaj akuzohen se në tetor të vitit 2015, gjatë një proteste, u kishin shkaktuar lëndime të rënda trupore dy policëve dhe kishin dëmtuar pronat e disa institucioneve në vlerë prej 20 mijë eurosh, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Për dëshmitarin Sami Hoti, gjyqtari Eroll Gashi tha se nuk e ka arsyetuar mungesën edhe pse ishte njoftuar përmes procesverbalit në seancën e kaluar.
Gjithashtu, gjyqtari Gashi shtoi se për dëshmitarin Hoti, mbrojtja kishin përgatitur disa pyetje, pasi dëshmia e tij nuk ishte përfunduar në seancën e kaluar, të mbajtur më 25 tetor 2024.
Sot ishte planifikuar të dëgjoheshin edhe dëshmitarët Gani Obrazhda, Safet Lahu, Naim Berisha, Exhevit Heta, Murat Hyseni, Naser Qerkezi dhe Sheremet Morina, të gjithë pjesëtarë të Policisë.
Edhe këta dëshmitarë munguan pa arsye, edhe pse gjykatësi Gashi tha se ishin njoftuar për seancën.
Në seancë nuk ishte i pranishëm as prokurori i rastit Kastriot Berisha, për të cilin gjykatësi Gashi tha se arrin me disa minuta vonesë për shkak se ndodhej në një seancë me paraburgim.
Në këto rrethana, seanca e sotme u shty për një datë tjetër.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 24 dhjetor 2015, Premton Iberdemaj, Ylli Hoxha, Uran Hasani, Arbër Kaqorraj dhe Armend Loshaj akuzohen se më 12 tetor 2015, kanë marrë pjesë në turmën e mbledhur dhe kishin gjuajtur me gurë dhe gjësende të forta në drejtim të policisë, të cilët kishin qenë duke parandaluar rrezikun ndaj qytetarëve dhe duke mbajtur rendin dhe qetësinë publike.
Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit kishin ndezur kontejnerët e mbeturinave dhe i kishin zhvendosur për gjatë rrugës, pastaj kontejnerët e ndezur i kishin shtyrë në drejtim të kordonëve policore, kishin hedhur koktej të molotovit, ku kishin vënë zjarrin automjeteve zyrtare, kishin gjuajtur gurë dhe gjësende të forta në drejtim të Stacionit Policor Qendra, kishin thyer xhamat e dritareve, kishin dëmtuar kornizat e dritareve, kishin dëmtuar inventarin brenda zyrave, si dhe kishin dëmtuar fasadën e këtij objekti.
Sipas Prokurorisë, të akuzuarit kishin djegur një automjet zyrtar dhe kishin dëmtuar 7 automjete zyrtare, si dhe u kishin shkaktuar lëndime të rënda trupore zyrtarëve policorë Pajtim Kryeziu dhe Fahredin Veliu dhe i kishin shkaktuar dëm në vlerë prej 20 mijë euro institucioneve si: Stacionit Policor Qendra, Zyrës së Prokurorit Disiplinor, KQZ-së, Selisë së PDK-së dhe KRM ”Pastrimi”, në Prishtinë.
Me këto veprime, Prokuroria i ngarkon të akuzuarit se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”, nga neni 412, par.1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.