Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka dhënë një përgjigje konkrete lidhur me mungesën e uniformave dhe pajisjeve për zyrtarët e Policisë së Kosovës, në ditën kur mbi 300 kadetë të rinj pritet t’i bashkohen këtij institucioni.
I pyetur nga mediat për këtë çështje të premten, Kurti ia ka lënë Ministrisë së Punëve të Brendshme përgjegjësinë për të dhënë informacione lidhur me furnizimin e policëve me uniforma dhe pajisje.
Ai ka theksuar se buxheti për Policinë e Kosovës është rritur vazhdimisht, duke pretenduar se asnjëherë më parë nuk ka pasur kujdes më të madh shtetëror dhe qeveritar për policinë, ushtrinë dhe uniformën.
Kurti u pyet për mungesën e uniformave, përgjigjen ia delegon MPB-së
“Unë tash do të shkoj atje dhe natyrisht është një arritje e re që Republikës së Kosovës po i shtohen edhe mbi 300 kadetë të rinj, nga të cilët rreth 30% janë gra. Sa i përket furnizimit me pajisje, me uniforma, është Ministria e Punëve të Brendshme që mund t’ua japë përgjigjen e duhur mbi atë se si shkojnë proceset, por buxheti për Policinë e Kosovës është rritur vazhdimisht dhe kurrë nuk ka pasur më shumë kujdes shtetëror e qeveritar për policinë, ushtrinë, oficerin dhe uniformën sikurse tani”, tha Kurti në një prononcim për media, pas vizitës në Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë.
Ndërkohë, ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës do të mbahet sot pasdite, ku këtij institucioni pritet t’i shtohen mbi 300 kadetë të rinj.