Deputeti i Vetëvendosjes Hekuran Murati ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014 lejon votimin e kryetarit të Kuvendit përmes votës së hapur apo të fshehtë.
Pavarësisht kësaj, sipas Muratit, disa organizata të shoqërisë civile dhe parti opozitare e kanë shpallur këtë formë si anti-kushtetuese, duke thelluar më tej krizën për konstituimin e Kuvendit.
Postimi:
Në Aktgjykimin e vitit 2014 për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, vetë Gjykata Kushtetuese në paragrafin 124. ka sqaruar që ndër mënyrat e pranueshmë për votim, janë vota e hapur, vota e fshehtë, apo çfarëdo mënyre tjetër.
Por ç’e do Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, kur disa organizata të “shoqërisë civile”, në sinkron me partitë që po bllokojnë konstituimin e Kuvendit, sot e shpallën si anti-kushtetuese këtë formë të votimit.
Edhe më interesant është paragrafi 125. ku thuhet:
“Gjykata konsideron se mënyrat e ndryshme të votimit (hapur, fshehtë, etj) kanë për qëllim të sigurojnë SHPREHJEN DEMOKRATIKE DHE TË PAVARUR TË VULLNETIT TË DEPUTETËVE dhe të sigurojnë të drejtat e deputetëve në mënyrë që ata t’u përmbahen obligimeve të tyre.”
Pra, sipas Aktgjykimit të GJK, Kushtetuta njeh mundësi të ndryshme të votimit dhe u takon deputetëve që të zgjedhin mënyrën më të mirë për të zhbllokuar procesin.
Por edhe kësaj radhe, u pa përfundimisht se kush po e bllokon konstituimin e Kuvendit.
U pa edhe që partitë opozitare nuk u besojnë deputetëve të tyre, meqë shfaqën hezitim të merrnin pjesë në një proces ku vullneti i lirë i deputetëve do të mund të ushtrohej pa presion.