Hekuran Murati nga Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se partitë politike duhet të bëhen bashkë dhe të ulen e të arrijnë dakordim për kryeparlamentarin, sikurse vepruan të shtunën për raportin e Komisionit për Verifikimin e Mandateve të deputetëve, shkruan Reporteri.net.
Ai tha se shpreson që deri të mërkurën partitë e tjera të reflektojnë që të zhbllokohet ky proces. Murati tha se kandidatja do të vazhdojë të mbetet e njëjta, Albulena Haxhiu.
“Duhen ndoshta që të ulemi njësoj si për raportin, pra po shihet që për cdo hap gjatë rrugës duhet një dakordim dhe konsensus politik që të zhbllokohet procesi. Emri dhe propozimi i takon partisë fituese. Ne si parti fituese e propozojmë kryetarin dhe është e udhës që kandidati të mbështetet nga partitë tjera”, dekalroi Murati.
Ai tha se opsioni i zgjedhjeve ekziston gjithmonë.
“Nuk është VV duke u tregu jo konstruktive. Opozita e ka mundësinë ta zhblloj procesin, por po e bllokon. I kemi dhe dy ditë e shpresojmë që opozita të reflektojë si për raportin’, shtoi tutje ai.
Ndryshe, edhe seanca e sotme për zgjedhjen e Kryeparlamentarit ka dështuar.
Deputeti Glauk Konjufca nuk e bëri fare propozimin për Kryeparlamentarin, ndërsa kërkoi kohë shtesë, pasi siç deklaroi ai partitë politike janë deklaruar se janë me qëndrime të njëjta lidhur me votimin për emrin e Albulena Haxhiut Kryeparlamentare.
“Ne kemi emrin e njëjtë, Albulena Haxhiun. Kemi parë që kanë deklaruar se do të kishin qëndrimin e njëjtë. Mendoj se kjo situatë politike nuk mund të zgjidhet përveç me një marrëveshje politike, ashtu siç votohen nënkryetarët ashtu do të duhej të votohej edhe kryetari i Kuvendit”.
“Kërkojmë kohë shtesë që të mos përsëritet situata e njëjtë.”, tha Konjufca para deputetëve.
Kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari shtyu seancën për të mërkurën në ora 10:00.
Në Kuvend të pranishëm ishin 117 deputetë./Reporteri.net