Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratit, ka reaguar pasi Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, tha se Qeveria ia ka bllokuar xhirollogaritë Komunës së Suharekës, si pasojë e kontratës kolektive dhe Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, akuzoi Qeverinë se e ka bërë qëllimshëm.
Murati ka thënë se “kushdo që pretendon se Qeveria bllokon llogari të komunave, gënjen”.
“Qeveria nuk bllokon llogari, e aq më pak komunave. Llogaritë bllokohen nga përmbaruesit dhe vendimet e prera gjyqësore”, ka thënë Murati.
Ibrahimi tha se me bllokim të xhirollogarive mund të përballen edhe komunat tjera.
“Qeveria ia bllokoi Komunës së Suharekës xhirollogarinë bankare si pasojë e kontratës kolektive dhe mosgatishmërisë se qeverisë për ta zgjidhur këtë problem. Kjo mund t’i ndodh edhe komunave tjera nëse qeveria nuk ka vullnet për të gjetur zgjidhje të këtij problemi. AKK edhe njëherë kërkon nga qeveria që t’i dëgjojë komunat dhe të reflektojë në kërkesat e tyre për kontratën kolektive”, ka thënë Ibrahimi.
Ndryshe, Muharremaj ka kërkuar veprim urgjent nga Kuvendi i Kosovës, pasi kësaj komune i janë bllokuar xhirollogaritë.
Bllokimi i xhirollogarisë, Muharremaj ka thënë se erdhi si pasojë e kontratës kolektive. Ai ka thënë se kjo situatë do të paraqitet edhe në komunat tjera nëse nuk ndërmerren masa.
“Sot zyrtarisht jemi njoftuar nga institucionet e nivelit qendror, që na kanë bllokuar qasjet për të gjithë zyrtarët financiarë për ne si Komunë e Suharekës, deri sa të procedohen vendimet gjyqësore/përmbarimore…Kjo situatë siç është paralajmëruar edhe nga Asociacioni i Komunave, do të vazhdoj edhe në komunat tjera, nëse nuk merren masa të menjëhershme, si pasojë e kontratës kolektive”, ka shkruar Muharremaj.
Ai ka thënë se komunat s’duhet të mbesin peng i një marrëveshje, që sipas tij duhet të zbatohet nga Qeveria.
“Ne kemi obligime financiare për projektet që i kemi planifikuar, dhe nuk duhet të mbesim peng e një marrëveshje të cilën duhet t’a zbatoj Qeveria e Kosovës, e ku pasojat tashmë po i bartim ne si komuna. Për këtë situatë, duhet të veproj urgjentisht edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës ngase situata e vështirë financiare do të rëndohet edhe më shumë”, ka shkruar Muharremaj.