Në objektin e Kuvendit të Kosovës ka arritur tashmë ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, i cili tha se shpreson që të ketë reflektim nga opozita.
Ai para mediave tha se Lëvizja Vetëvendosje tashmë ka bërë lëvizje duke ftuar në takim krerët e dy partive opozitare.
“Ne kemi bërë propozimin tonë, kemi kryer obligimin kushtetues, është rradha që të votohet nga të gjithë deputetët, sepse është obligim i të gjithëve konstituimi i Kuvendit. Kemi bërë edhe hapa tutje, lëvizje, keni parë besoj me ftesën e kryeministrit Kurti drejtuar dy subjekteve të tjera, sepse siç e dini që tri partive më të madhe, u takon edhe pozita e nënkryetarit, në mënyrë që të kemi konsensus të lëvizim tutje, që mos të kemi bllokadë pas bllokade. Uroj që pas përgjigjes pozitive të njërit nga udhëheqësit e partive opozitare, në këtë rast të PDK-së, të ketë pasur reflektim që të lëvizet përpara dhe të themelohet institucionet”, tha ai.
Në takim Kurtit sot i shkoi vetëm kreu i PDK-së, Memli Krasniqi. Ai pas takimit tha se i ka kërkuar kreut të VV-së që ta propozojë një emër tjetër për kryeparlamentar, por nuk pati sinjale se do ta bëjë.
Ai theksoi se për PDK-në është e rëndësishme që situata të zhbllokohet, por që vota për Kryeparlamentarin s’mund të imponohet. /Reporteri.net/