×
  • Lajme
  • Lajme

    Murati: Zgjidhja më e mirë, ripërcaktimi i kufijve me Serbinë

    Reporteri
    10 Shtator 2020 | 20:59

    Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka thënë se ripërcaktimi i kufijve me Serbinë është zgjidhja më e mirë.


    Sipas tij, Kosova me Marrëveshjen e fundit nuk e ka mbyllur çështjen e konsolidimit të plotë të sovranitetit të saj të jashtëm dhe të brendshëm shtetëror.

    Shkrimi i plotë:

    Vazhdojnë të mbesin tri opsione sesi mund të përfundojë dialogu me Serbinë: ripërcaktimi i kufijve, asociacioni me kompetenca ekzekutive i komunave serbe (që është autonomi politike territoriale) dhe vazhdimi i status-quos

    Kosova edhe me këtë marrëveshjen ekonomike të Vashingtonit nuk e ka mbyll çështjen e konsolidimit të plotë të sovranitetit të saj të jashtëm dhe të brendshëm shtetëror. Në planin e jashtëm ne vazhdojmë të kemi problem anëtarësimin në OKB, por edhe në BE, NATO, OSBE, Këshill të Evropës etj., e në planin e brendshëm kemi probleme të thella në ushtrimin e sovranitetit të plotë në tërë territorin e vendit, përkatësisht në pjesën veriore. Të jam i qartë në asnjë moment pavarësia dhe shteti i Kosovës nuk rrezikohet.

    Ajo për të cilin po flasim është që të rrumbullakësohet procesi i shtet-formimit dhe ta largojmë përfundimisht ndikimin e Serbisë në Kosovë si ndikim negativ e t’i shndërrojmë raportet me të raporte të një fqinjësie që do të shkonte duke u normalizuar me kohën. Kështu mendoj se duhet të shfrytëzohet procesi i dialogut politik me Serbinë që duke i zgjidhur problemet politike me të përmbyllet edhe ky proces. Vazhdojnë të jenë tri opsione sesi mund të përmbyllet një dialog me Serbinë.

    Ajo që LB dhe unë personalisht e favorizojmë dhe besojmë se herët e vonë do të ndodh është ai i ripërcaktimit të kufijve për të cilin fola më lartë. Varianti i dytë është një marrëveshje që përfshin një asociacion me kompetenca ekzekutive për komunat serbe (e cila realisht do të ishte një autonomi politiko territoriale) e cila kombinuar me privilegjet kushtetuese që kanë serbët do ta bënte Kosovën një shtet krejtësisht jo-funksional madje edhe nëse do të njihej nga Serbia e do të pranohej në OKB.

    Dhe varianti i tretë është ai që të vazhdohet me këtë status-quo të tanishme, pa një marrëveshje të madhe e rrjedhimisht me Kosovën e pa përfshirë në institucionet kryesore ndërkombëtare, pra pa një legjitimitet të plotë ndërkombëtar dhe me probleme të brendshme në ushtrimin e sovranitetit si dhe me vështirësi në funksionimin shtetëror për shkak të bllokadave që pakica serbe mund t’i bëjë me rekomandimet e Beogradit.

    Në të dy variantet e fundit, Serbinë në vend se ta heqim nga Kosova do ta kemi brenda dhe në vend se të merremi me tema zhvillimore e të sundimit të ligjit, do të vazhdojmë të merremi me Serbinë dhe me temat të ashtuquajtura të mëdha. Në vend se të kemi një garniturë të re politike, do të vazhdojnë të na defilojnë të njëjtit njerëz apo pinjollët e tyre me të njëjtën mendësi politike.

    Frika ime është se refuzimi i opsionit të ripërcaktimit të kufijve dhe realizimi i njërës nga këto dy variantet të fundit do të bëjë që duke qenë ato zgjidhje jofunksionale ne vetë në një të ardhme të kërkojmë hapjen e çështjes së kufijve por nga një pozicion shumë më i dobët. Kam frikën se në ato rrethana do të mund ta humbnim pjesën më të madhe të Kosovës Lindore dhe interesi serb do të betonohej në veri tek lumi Ibër.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!