Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu Shoshi, në fjalën e saj në seancën e sotme plenare ka kritikuar ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
Musliu Shoshi tha se në diplomaci duhet pasur kujdes se për çka po flet dhe të mos përkrahet narrative që ka krijuar Serbia se Kosova është shtet kriminal dhe i korruptuar, shkruan Reporteri.net.
Sipas saj fjalimi i Gërvallës në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka qenë skandaloz duke thënë se ajo është vetëm përfaqësuese e Kosovës dhe jo zëdhënëse e vendeve të Ballkanit.
“Zonja ministre, në diplomaci, duhet të jesh shumë e vetëdijshme se në cilat instanca po folë dhe cili është qëllimi i takimit tuaj. Qëllimi i takimit në Kombet e Bashkume është forcimi i shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe çuarja e mesazheve të qarta se Kosova është një shtet i cili meriton të njihet ndërkombëtarisht dhe duhet të arrish të përballesh me Serbinë dhe Rusinë ku dihet që Serbia tashmë ka një pozitë mjaft të favorshme në Rajon. Dhe jo ta përkrahësh në vazhdimësi narrativën që ka krijuar Serbia sa I përket Kosovës, që Kosova është shtet kriminal dhe I korruptuar, që Kosova eksporton jostabilitet politik dhe terrorizëm. Pra nuk përmenden gjëra të tilla të pavërteta, kur je në një pozicion aq të favorshëm kundër Serbisë dhe Rusisë dhe kur ke interesa nacionale përpara, politika e brendshme duhet të shkëputet nga politika e jashtme.”, ka deklaruar deputetja e PDK-së.
Ajo nuk la pa përmendur edhe akuzat e ministrit të Jashtëm serb se UÇK-ja është organizatë kriminale, deklaratë për të cilën thotë se Gërvalla zgjodhi heshtjen e turpshme.
“Homologu juaj serb iu drejtua juve para syve të botës me një varg akuzash të pavërteta sa I përket UÇK-së që e quajti atë organizatë terroriste dhe disa akuza të pavërteta për Gjykatën Speciale. Dhe ju zgjodhët heshtjen e turpshme. Zonja Gërvalla iu kujtoj që aty po gjykohet historia dhe shtetësia e Kosovës. Lufta e lavdishme dhe e pastër e UCK-së, falë të cilës ti sot e ke mundësinë të na përfaqësosh e të ndihesh goxha krenare.”, tha Musliu Shoshi.
Ajo e përmendi edhe deklaratën e Gërvallës ku i përmendi krimet e Gjermanisë naziste edhe ndaj Serbisë.
“Zonja ministre krejt në fund skandalin diplomatik që e ke bërë me një shtet mik si Gjermania, duke thënë Gjermania naziste dhe duke u kthyer 80 vjet pas në histori e akuzon se kishte bërë krime ndaj serbëve dhe popujve të tjerë, përfshirë shqiptarët. Sinqerisht Gjermania nuk të ka marrë seriozisht, se po ta merrte seriozisht këtë deklaratë tuaj para syve të botës në një mbledhje të tillë, ata do të duhej të shqyrtonin qëndrimin e tyre dhe përkrahjen për shtetin tonë.”, përfundoi ajo. /Reporteri.net