×
  • Lajme
  • Lajme

    Musliu: ‘Sputnik’ dhe ‘Kosovo Online’ me lajm të rremë për FSK-në

    Reporteri
    17 Shtator 2021 | 12:09

    Sputnik Srbija në vazhdën e shpërndarjes së lajmeve të rreme për Kosovën, së fundmi ka botuar një lajm të sajuar për projektligjin për Policinë Ushtarake të FSK-së.


    Agim Musliu, ekspert i çështjeve të sigurisë ka thënë se, institucionet e sigurisë së Kosovës janë targeti kryesor i sulmit të rusëve.

    “Sipas artikullit të Sputnik , me titull ‘Loja e re mes Prishtinës dhe Perëndimit e rrezikshme për serbët: Të shpallen të tepërta të gjitha forcat ndërkombëtare’, rusët duan ta rrisin sentimentin ndërkombëtar se Kosova është duke ua kthyer me të keq atyre vendeve që e ndihmuan në shtetndërtim”, ka thënë Musliu.

    Edhe pse ende është në fazën e konsultimeve publike, e që nënkupton që mund të ndryshohet, shtohet apo modifikohet, Projektligji për Policinë Ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka filluar të keq-interpretohet dhe nga ai të nxirren lajme të rreme nga mediat ruse dhe ato pro-ruse në Kosovë.

    Musliu më tej ka theksuar se ky mesazh ka për qëllim thellimin e konfliktit shqiptaro-serb dhe destabilizimin e rajonit.

    “Në Serbi Sputnik e shpërndan mesazhin, kurse menjeherë në Kosovë, si repetitor i Sputnik, kanali mediatik serb Kosovo-Online, vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në shpërndarjen e lajmeve të rreme dhe dezinformatave të Kremlinit. Kjo e bën më të lehtë shpërndarjen e sulmeve mediatike nga Rusia”, ka thënë Musliu.

    Gjithë këtë pretendim Sputnik Srbija e bazon vetëm në opinionin e një analisti, Srdjan Perisic, i cili thuhet se është profesor i së drejtës ndërkombëtare në Institutin për Studime Aziatike në Beograd.

    Pas Sputnik Srbija, edhe portali serb në Kosovë, Kosovo-Online, në ora 21:27, publikoi artikullin e ngjashëm, duke ju referuar medies ruse Sputnik Srbija. Deri më tani, edhe një portal tjetër serb, Vesti Online, ka publikuar artikullin e njëjtë.

    Në projektligjin për Policinë Ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës, askund nuk ceket se FSK do të “arrestojë anëtarët e misioneve ndërkombëtare në Kosovë”, e aq më pak, askund nuk ceket se FSK do të “arrestojë anëtarë të KFOR-it, EULEX-it apo UNMIK-ut”.

    Për më tepër, në Nenin 7 (Autorizimet) të këtij projektligji, thuhet si në vijim:

    “PU-ja i ushtron autorizimet e veta në kazermat  apo në zonat e operacionit ku operon FSK-ja, në hapësirat e MM-së, jashtë kazermave ndaj personelit të FSK-së dhe MM-së, si  dhe ndaj personave që bien ndesh me urdhrat e ligjshëm.”

    Ndërsa, Neni 13 (Arrestimi dhe ndalimi) thotë si në vijim:

    “Polici Ushtarak bën arrestimin dhe ndalimin e ushtarakut ose civilit sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale.”

    Andaj, si të tilla, pretendimet që rrjedhin nga mediat ruse dhe pro-ruse në Kosovë, kanë qëllim dezinformonim dhe manipulimin e publikut, dhe si i tillë konsiderohet si i sajuar apo “Fake News”.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!