Deputetja nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu pas dështimit të seancës sot ka thënë se Vetëvendosja po e mban peng Kosovën.
Sipas saj moskonstituimi i Kuvendit është një krizë e qëllimshme e shkaktuar nga VV-ja.
“Pengesa për formimin e institucioneve nuk është më çështje teknike, është sabotim i pastër politik, një përpjekje arrogante për të kontrolluar gjithçka, edhe në dëm të demokracisë”, ka shkruar Musliu, shkruan Reporteri.net.
Postimi i saj:
VETËVENDOSJA PO E MBAN PENG KOSOVËN, KUVENDI NUK ËSHTË PRONË E ASNJË PARTIE.
Moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës është një krizë e qëllimshme, e shkaktuar nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila sot më shumë se kurrë po dëshmon se e vendos interesin e saj politik mbi shtetin, mbi ligjin dhe mbi qytetarët.
Pengesa për formimin e institucioneve nuk është më çështje teknike, është sabotim i pastër politik, një përpjekje arrogante për të kontrolluar gjithçka, edhe në dëm të demokracisë.
Vetëvendosje e ka kthyer vullnetin qytetar në monedhë pazari.
Për ta, demokracia vlen vetëm kur u shërben interesave të tyre.
Ata që dikur flisnin për drejtësi, sot mbrojnë bllokadën.
Ata që akuzonin të tjerët për kapje të shtetit, tani janë kthyer në shembullin më të keq të kapjes politike ku Kuvendi nuk përbën më një institucion përfaqësues, por një vegël për pushtet të pakufizuar.
Shtyrja e konstituimit të Kuvendit është një akt i rëndë politik që tregon fytyrën e vërtetë të Vetëvendosjes: autoritare, përçarëse, e paditur dhe e papërgjegjshme.
Qytetarët nuk kanë votuar për stagnim, as për diktat partiak. Ata kanë votuar për funksionim të shtetit, për institucione që punojnë, jo për teatër politik dhe lojëra të pista partiake.
Nëse kjo qasje vazhdon, Kosova do të futet në një krizë të thellë institucionale dhe përgjegjësinë do ta mbajë vetëm një parti: Levizja Vetëvendosje.