Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka njoftuar se në takimin e mbrëmshëm me kryetarët e degëve të LDK-së i kanë dhënë përkrahje të parezervë Qeverisë së re të Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti.
Mustafa ka folur për zërat për përçarje përbrenda LDK-së, ku së fundmi disa deputetë të kësaj partie nuk e kanë votuar Qeverinë Hoti, shkruan Reporteri.net.
Ai ka thënë se ishte konstatim i përgjithshëm që në LDK të kultivohet maksimalisht shprehja e mendimit të lirë, beteja e individëve që qëndrimet dhe mendimet e tyre të marrin përkrahjen e shumicës, por se vendimet e shumicës duhet të respektohen si rregull elementare demokratike brenda LDK-së.
Mustafa po ashtu ka thënë se fundamenti rugovist i LDK-së, që konsiston në unitet dhe solidarizim të brendshëm, nuk mund të zëvendësohen dhe arsyetohet me protagonizëm individual, ego dhe sjellje populliste.
Postimi i plotë:
Të nderuar anëtarë, simpatizantë dhe veprimtarë të LDK-së
Në takimin e mbrëmshëm, kryetarët e degëve të LDK-së i dhanë përkrahje të parezervë Qeverisë së re të Kosovës dhe Kryeministrit Hoti.
U theksua se Qeveria ka fuqi politike, dije dhe kapacitete të ballafaqohet me të gjitha sfidat aktuale; se Qeveria Hoti ka vizion për të ardhmen.
Ishte një pajtim i përgjithshëm që tani pas zgjedhjes së ministrave të vazhdohet që të sigurohet një përfaqësim cilësor dhe sa më i drejtë nga terreni me zëvendësministra dhe me këshilltarë në digasteret qeveritare.
Në takim u theksua se natyrshëm është pritur që të gjithë deputetët e LDK-së të përkrahin qeverinë që drejtohet nga LDK-ja, duke pasur parasysh Statutin e LDK-së , përkrahjen që atyre iu është dhënë nga të gjitha degët në fushatë, mbështetjen maksimale logjistike dhe financiare nga qendra përkatësisht besimin që e kanë marrë nga votuesit si kandidatë të LDK-së.
Ishte konstatim i përgjithshë se në LDK kultivohet maksimalisht shprehja e mendimit të lirë, kultivohet beteja e individëve që qëndrimet dhe mendimet e tyre të marrin përkrahjen e shumicës, por se vendimet e shumicës duhet të respektohen si rregull elementare demokratike brenda LDK-së; se fundamenti rugovist i LDK-së, që konsiston në unitet dhe solidarizim të brendshëm, nuk mund të zëvendësohen dhe arsyetohet me protagonizëm individual, ego dhe sjellje populliste. IM