Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, pas takimit me kryetarët e degëve ka folur edhe për pozitën e presidentit e cila është bërë “mollë sherri” për arritjen e marrëveshjes për formimin e qeverisë.
Ai tha se emri nuk do të jetë problem dhe partia e tij do ta propozojë kur të vijë koha, në vitin 2021, kur i përfundon mandate presidentit aktual Hashim Thaçi.
“Çështja e presidentit është një çështje parimore që duhet të ndodhë. Asnjë kërkesë personale nuk ka në këto biseda që i kemi bërë deri më tani. Sa i përket presidentit ne zgjedhjet nuk i kemi tani, po në fillim të vitit 2021 dhe kur i vjen koha organet e LDK-së do ta bëjnë publik emrin, emri nuk është problem, duhet të kemi vullnet dhe mirëbesim”, ka deklaroi Mustafa, para gazetarëve, shkruan Reporteri.net.
Kujtojmë se kreu i VV-së, Albin Kurti, para katër ditësh në një intervistë dhënë për mediat ka deklaruar se po i kërkohet nga LDK-ja që të mbështesë kërkesën e tyre për postin e presidentit pa e ditur se kush do të jetë ai.
“Po më kërkohet një pëlqim blanko. Më kanë kërkuar postin por nuk më kanë treguar kush është ai. Asnjë nga tre anëtarë e kryesisë së LDK-së nuk e kanë pranuar se duan të bëhen president”, ka pohuar ai.
Kurti ndërkaq ka thënë se partia e tij nuk ka emra për president.
“Është një President fantom në tentativë që nuk po e dimë kush është. Presidenti është personalitet. Unë nuk mund të them që kam emra edhe për karrige të zbrazëta që po na presin e lëre më për një karrige që është e nxënë”, ka deklaruar Kurti.
Kujtojmë se Mustafa tha sonte para gazetarëve se do të vazhdojnë bisedat me VV-në por nuk bëri të ditur kur do ta zhvillojnë takimin e radhës, për çka tha se për caktimin e takimeve merret vesh drejtpërdrejtë me Kurtin. /Reporteri.net/.