×
  • Lajme
  • Lajme

    Mustafa i përgjigjet Kurtit: Vepruat pa parime, vetëm për të përfituar sa më shumë

    Reporteri
    25 Dhjetor 2019 | 20:50

    Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar pas video-mesazhit që Albin Kurti lansoi për të kumtuar se kanë dështuar të bëjnë marrëveshje para seancës.


    Për LDK-në, sipas Mustafës, negociatat nuk kanë dështuar, duke theksuar se LDK-ja do të jetë e gatshme për të gjetur rrugë për krijim të Qeverisë, shkruan Reporteri.net.

    “Negociatat nuk kanë qenë të lehta dhe partneri në tavolinë, Lëvizja Vetëvendosje, në disa raste, i ka shpërfillur rregullat për të cilat kishim rënë dakord. Të tillë e kam parë VV-në edhe sonte me video-mesazhin e Kryetarit të Vetëvendosjes, z.Albin Kurti. Për LDK-në dhe për mua, negociatat nuk kanë dështuar. Ka dështuar strategjia e Vetëvendosjes për ta siguruar para publikut epitetin e palës parimore dhe gjeneroze në negociata dhe për t’ia hedhur fajin LDK-së”, ka potencuar Isa Mustafa.

    Mirëpo, Mustafa e ka drejtuar gishtin nga VV-ja duke e akuzuar se po synon të përfitojë sa më shumë. Kreu i LDK-së ka thënë se pranimi për ta dhënë postin e presidentit në këmbim të MPB-së është synim për të përfituar sa më shumë.

    “Ndryshe nga deklarimet e tyre publike, Vetëvendosja tregoi sonte se është gati të zotohet për ta mbështetur kandidatin e propozuar nga LDK-ja për President të Kosovës, vetëm se kërkon më shumë hise në qeveri. Ky nuk është parim, por tentim për të përfituar më shumë”, ka thënë kreu i LDK-së.

    Ndryshe, Albin Kurti tha sonte se LDK-ja i refuzoi ofertën e fundit, gjë që solli deri tek deshtimi i negociatave./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!