Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka kritkuar ashpër reagimin e ministrit në detyrë, Xhelal Svecla, i cili dje paralajmëroi deputetin Behgjet Pacollin se mund të arrestohet.
Sipas Mustafës, kërcënimi ndaj një deputeti të zgjedhur, është argument se Svecla është vënë mbi ligjin, shkruan Reporteri.net.
“Të nderuar qytetarë, këtë nuk do ta bënte për jetë të jetëve, z. Agim Veliu, i cili u shkarkua arbitrarisht nga z. Kurti sikurse asnjë ministër tjetër i LDK-së. Të kërcënojë një zëvendësministër në detyrë se do të arrestojë deputetin, që ka legjimitet të përfaqësimit të qytetarëve, është argument se ai është vënë mbi ligjin”, ka thënë ai.
Kreu i LDK-së ka kërkuar nga Prokuroria që të merret me sjelljen e ministrit në detyrë, ndërkohë që ka thënë se “qytetarët i ka arrestuar policia me kërkesë të prokurorit, por jo me diktate politike”.
“Policia drejtohet nga drejtori i policisë, dhe vepron sipas Ligjit për Policinë, nuk drejtohet nga ministri dhe zëvendësministri, qofshin në detyrë apo jashtë detyre. Unë pres që prokuroria ta trajtojë një sjellje të tillë, nëse jo të arsyetojë bazën ligjore të një kërcënimi të tillë puçist ndaj një deputeti”, ka thënë tutje Mustafa.
Ndryshe, edhe presidenti Thaci ka reaguar ndaj deklarimeve të ministrit në detyrë, Xhelal Svecla, duke i quajtur madje “ndërmarrje kriminale”./Reporteri.net