Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të shpallur si antikusthetues Delegacionin Shtetëror për dialogun me Serbinë, ka reaguar kryetari i LDK-së, Isa Mustafa i cili ka bërë akuza në drejtim të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, duke thënë se Haradinaj, në mënyrë jokushtetuese, i kishte deleguar përgjegjësitë e tij për dialogun.
Sipas Mustafës në këtë rast janë bërë shkelje me përmasa gjeometrike të Kushtetutës së Kosovës, shkruan Reporteri.net.
Mustafa ndër të tjera ka kërkuar përgjegjësi nga Qeveria Haradinaj, duke potencuar se dy presidentët e Kosovës, e kishin bërë këtë duke u dorëhequr kur ishte konstatuar se kanë bërë shkelje e Kushtetutës.
Postimi i plotë i Mustafës:
Të nderuar qytetarë
Gjykata Kushtetuese foli. Shpalli jokushtetues në tërësinë e tij Ligjin për dialogun. Shpalli jokushtetues Ekipin e Dialogut.
Ekipi, pa e pritur hyrjen në fuqi të Ligjit, i cili u kontestua nga LDK dhe VV, ushtroi veprime jokushtetuese në procesin e dialogut me para të Buxhetit. Kryeministri, në mënyrë jokushtetuese, i kishte deleguar përgjegjësitë e tij për dialogun.
Qeveria shkeli Kushtetutën duke e aprovuar Projektligjin me përmbajtje jokushtetuese të sponzorizuar nga PSD. Kuvendi shkeli Kushtetutën duke e miratuar një Ligj jokushtetues, të propozuar nga Qeveria.
Janë këto shkelje të Kushtetutës në proporcione gjeometrike nga koalicioni PAN.
Dy presidentë tanë kanë dhënë dorëheqje kur është konstatuar shkelje e Kushtetutës. Tani radhën e ka kjo Qeveri dhe ky Kuvend. Duhet të pajtohemi se nuk lejohet që Kosovën ta drejtojnë shkelësit e Kushtetutës. IM
Kujtojmë edhe një herë se dy presidentët që kishin dhënë dorëheqje nga shkelja e Kushtetutës janë Fatmir Sejdiu dhe Behgjet Pacolli