Mustafa konteston fituesin e zgjedhjeve: Dy parti dolën të parat

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa pas takimit me deputetin CDU-së Volkmar Klein, ka thënë se kanë biseduar së bashku për ecuritë aktuale në Kosovë, sidomos për procesin e zgjedhjeve.


“Ne me CDU kemi relacione shumë të mira dhe shumë të afërm, dhe jemi munduar që të gjitha reformat në LDK jemi munduar që t’i përshatim si parti të një familje”, tha Mustafa, derisa, i njejti ka shtuar se kanë diskutuar edhe për rezultatin pas zgjedhjeve.

“Sa i përket procesit zgjedhor, e njoftova deputetin se ky proces ende nuk ka përfunduar se momentalisht jemi dy parti që kemi dalë të parat, LDK dhe VV me një dallim të vogël të votave, fituesi përfundimtar do të përcaktohet me certifikimin e rezultateve, pasi të numërohen të gjitha votave. Ne edhe si parti kemi pas objektin themelor, zhvillimin ekonomik, luftën kundër krimit e korrupsionit pastaj thellimit e bashkëpunimit me ndërkombëtarëve dhe rikthimin e relacioneve me BE kështu që ky objektiv do të mbetet edhe më tutje, në rast se LDK do të jetë në krye të qeverisë së ardhshme apo pjesë e qeverisë së ardhshme”, ka thënë ai.

I pari i LDK-së, tutje ka thënë se me VV do të takohen në ditët në vijim.

“E njoftova poashtu se ne kemi biseduar edhe me VV për mundësinë e një koalicioni, kemi vlerësuar se ky mund të bëhet por duhet punë, në ditët në vijim do të kemi kontakte do të bashkëpunojmë në pjesën e programit qeverisës”, ka thënë ai.