Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, duke komentuar arritjen e marrëveshjes me Serbinë për energji, ka thënë se kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani do t’i zbatojnë një nga një marrëveshjet me Serbinë, përfshirë edhe Asociacionin.
Megjithatë, Mustafa e ka konsideruar si akt të dobishëm arritjen e marrëveshjes për energji, derisa shtoi se nëse kjo marrëveshje zbatohet mirë, atëherë furnizimi me energji në veri dhe inkasomi i faturimit të energjisë në veri do të rregullohet, transmeton Reporteri.net.
“Unë konsideroj që kjo marrëveshje për energjinë nuk e ndikon marrëveshjen për Asocacionin. nuk e determinon. Unë mendoj që është mirë që është arrit, sepse me të në qoftë se punohet mirë, edhe këto probleme që i kemi me furnizimin në veri dhe me inkasimin e faturimit të energjisë në veri të rregullohet”, tha Mustafa në RTK.
Ai ka komentuar edhe qëndrimet, siç i quan ai, shumë të forta të VV-së në lidhje me marrëveshjet me Serbinë, mirëpo sipas tij, në fund të fundit, Kurti e Osmani do t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet me Serbinë, një e nga një.
“Marrëveshja e Asocacionit tash e sa vjet kërkohet të implementohet, pra ajo e vitit 2013. Kemi pas qëndrime shumë të forta të VV-së edhe presidentes së vendit që kjo nuk bëhet në asnjë rast, ta shohim apo sbëhet. Por unë po e shoh që këta(Kurti e Osmani) një nga një do të fillojnë t’i zbatojnë marrëveshjet”, tha Mustafa. /Reporteri.net/.