Isa Mustafa, ish-kryeministër dhe ish-kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se partia që ai ka udhëhequr deri sivjet, nuk do të kishte sukses në zgjedhjet lokale të mbajtura së voni, po që se ai vetë do të mbetej kryetar.
LDK-ja në zgjedhjet lokale në tetor-nëntor doli e dyta me komuna të fituara, tetë muaj pasi pati rezultatin më të dobët si parti në zgjedhjet e përgjithshme, kur doli e treta.
“Mund të them se zgjedhjet e përgjithshme që ndodhën në fillim të vitit dhanë rezultate të papritura për LDK-në dhe subjektet tjera. Pati eufori politike që në mënyrë irracionale i çoi votat te një subjekt politik pa e ditur votuesit se çfarë një subjekt mund të ofrojë, sepse s’kemi pasur më herët një subjekt me 50 për qind të votave. Ishte i papritur rezultati i LDK-së për mua. Gjendja u stabilizua përafërsisht, edhe te subjektet tjera politike sepse qytetarët e korrigjuan në një mënyrë votimin. E krijuan një balanc politik të domosdoshëm për ne sepse s’është e shëndetshme që një subjekt të ketë mbi gjysmën e votave. Mendoj se është e arritur e mirë e qytetarëve sepse ata kanë vlerësuar se sa meriton çdo subjekt politik t’i jepet besimi dhe mendoj se këto rezultate tregojnë pjekurinë e qytetarëve dhe votës së tyre”, ka thënë ai në emisionin Desku në KTV.
Sipas tij, arsyet e “korrigjimit” të votës erdhën për shkak se Vetëvendosje dhe qeverisja e saj s’treguan kohezion në aspektin e premtimeve dhe pritjeve të qytetarëve për premtimet e saj.
I pyetur se a do të kishte këtë rezultat LDK-ja edhe po që se Mustafa do të mbetej kryetar, ai ka renditur arsyet se përse kjo, sipas tij, s’do të mund të ndodhte.
“Mendoj se jo, të jem i sinqertë sepse u krijua një klimë politike për periudhë mjaft të gjatë që kishte kundërshtime jashtë LDK-së. Siç duket edhe të qenit gjatë në krye të LDK-së, aktivitetet e mëparshme të LDK-së si pjesë e koalicioneve të mëparshme apo si drejtuese e qeverisë për dy mandate sa isha unë kryetar i LDK-së, pastaj drejtimi i Prishtinës kanë ndikuar të ketë vërejtje, mospajtime që janë të natyrshme e të kërkohen fytyra e zgjidhje të reja”, ka thënë ai duke e vlerësuar si arritje të madhe të LDK-së përmbysjen e rezultatit.