×
  • Lajme
  • Lajme

    Mustafa pas vendimit të Apelit për termin “shiptari”: Vendim i ndikuar politikisht

    Reporteri
    22 Dhjetor 2021 | 17:34

    Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Ragmi Mustafa ka thënë se vendimi i Gjykatës së Apelit në Serbi për termin “shiptari”, është një vendim i ndikuar politikisht.

    Në një lidhje direkte për emisionin “Frontal” në T7, Mustafa tha se hallkat e drejtësisë janë të kapura nga Qeveria e Serbisë.

    “Hallkat e drejtësisë janë të kapura nga Qeveria e Serbisë. Njëjtë një proces të tillë e ka pasur tri organizata të cilat i kanë fituar në Gjykatën e lartë. Por në rastin kur Këshilli Kombëtar e ka paditur ministrin, gjykatat shihet qartë se janë të ndikuara politikisht”, ka thënë Mustafa.

    Në ndërkohë, gjykata e Apelit në Serbi ka refuzuar ankesën e Kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë në Beograd, në padinë ndaj Ministrit të Brendshëm Aleksander Vulin për gjuhë të urrejtjes dhe përdorimin e termit fyes për shqiptarët. Këtë vendim të Gjykatës së Apelit në Beograd e ka bërë të ditur vet Mustafa sot përmes një postimi në “Facebook” duke thënë se vendimi shpërfaq më së miri drejtësinë e sotme në Serbi.

    Ai ka shkruar se Gjykata e Apelit e legalizoi termin fyes për shqiptarët dhe betejën do ta vazhdojë edhe në Gjykatën Kushtetuese.

    “Edhe Gjykata e Apelit legalizon termin fyes “šiptari” dhe institucionalizon gjuhën e urrejtjes. vazhdojmë në Gjykatën kushtetuese! Gjykata e Apelit ka “refuzuar ankesën si të pabazuar të paditësit dhe vërteton aktgjykimin e Gjykatës së Lartë në Beograd”, në padinë ndaj Ministrit të Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë, z.Aleksandër Vullin, për vërtetimin e qasjes diskriminuese dhe përdorimin e gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve”, ka shkruar Mustafi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!