×
  • Lajme
  • Lajme

    Mustafa: Vendimet e djeshme cënojnë shtetin demokratik, shpëtojmë vetëm nëse kjo qeveri shkon

    Reporteri
    14 Prill 2020 | 10:02

    Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, partia e të cilit ende vazhdon të jetë pjesë e qeverisë në largim, ka kritikuar ashpër vendimet e djeshme të Qeverisë për kufizim të lirisë së lëvizjes së qytetarëve. Ai ka thënë se kjo qeveri duhet të shkojë sa më shpejtë.

    Vendimi i djeshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, për kufizim të lirisë së lëvizjes së qytetarëve, me qëllim pengimin e përhapjes së pandemisë, është kontestuar nga shoqëria civile e edhe nga partitë politike, për shkelje të kushtetutës dhe cënim të demokracisë.

    Kreu i LDK’së, Isa Mustafa, ka thënë se vendimi i djeshëm i Kryeministrit i nxjerrë nga goja e ministrit të Shëndetësisë, cënon shtetin demokratik.

    Mustafa ka kërkuar që kjo qeveri e cila është e shkarkuar me votat e deputetëve në Kuvendin e Kosovës, të shkojë sa më parë.

    Ai sidomos ka dënuar vendimin se deputetët mund të shkojnë në seancë, vetëm me vendim të Ministrisë së Brendshme. Mustafa këtë e ka cilësuar si diktaturë, ku përfaqësuesit e popullit kufizohen nga një ministër.

     

    Lexoni të plotë reagimin e kreut të LDK’së:

    Të dashur qytetarë

    Do të kisha dashur që sot me ju së bashku të shpreh miradinë për punën që e bëjnë organet shtetërore dhe qytetarët në betejën e përbashkët për ta përballuar COVID-19. Poashtu, të respektohet thirrja e Kryesisë së ASHAK që të lëmë anash luftën politike dhe të bashkohemi në betejën për të ruajtur jetë njerëzish. Do të dëshiroja të krenohem me punën e ministrave të LDK-së që kanë mbetur në Qeverinë në detyrë me mision të parandalimit të kësaj Pandemie.

    Është pritur që Qeveria në detyrë të segmentojë zonat e krizës dhe të rregullojë lëvizjen e qytetarëve në ato pjesë, sepse të gjithë jemi të interesuar ta mposhtim Pandeminë. Jo të kamuflojë gjendje të jashtëzakonshme në tërë tërritorin përmes Ministrit të Shëndetësisë.

    Vendimet që Kryeministri në detyrë na i lexoi mbrëmë në “natën historike” përmes gojës së Ministrit të Shëndetësisë, janë shqetësuese. Ato kapërcejnë çdo kufi të një shteti demokratik.

    Sipas këtyre vendimeve, qytetarët e Kosovës nuk janë qytetarë me të drejta të garantuara kushtetuese. Qeveria në detyrë nuk është qeveri e një shteti parlamentar. Ajo nuk po e respekton Kushtetutën dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Ministritë e caktuara janë bërë vet ligji. Deputetët, si përfaqësues të popullit, do të mund të shkojnë në Kuvend, vetëm kur ua lejon Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike. Ministrat e LDK-së mbesin anash.

    Deputetët sot do duhej ta thonë fjalën e tyre. Jo për pako financiare. Por për uzurpimin e shtetit nga Qeveria në detyrë.

    Unë nuk dyshoj se PDK si inicuese e kësaj séance nuk e ka përgatitur me qëllime të mira një propozim të pakos financiare, por me këto masa drakonike të kësaj qeverie në detyrë nuk funksionon asnjë pako. Sepse kur jeta ekonomike dhe biznesore mbyllet skajshmerisht, nuk ka pako që shpëton as atë e as qytetarët.

    Pako e vetme e arsyeshme është që të shkojë kjo qeveri dhe logjikë qeverisëse një ditë e më parë, të krijohet qeveri e re e cila së bashku me Kuvendin do të nxjerr masat e domosdoshme për ta kapërcyet këtë gjendje në të cilën jemi. IM

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!