×
  • Lajme
  • Lajme

    Myslimanët festojnë Kurban Bajramin mes rritjes së çmimeve të ushqimeve

    Reporteri
    10 Korrik 2022 | 16:09

    Miliona myslimanë anembanë globit festuan Kurban Bajramin, një nga festat më të mëdha të kalendarit islamik që përkon me ritet e fundit të pelegrinazhit vjetor të Haxhit në Arabinë Saudite.

    Në disa vende, përfshirë Afganistanin, Iranin dhe shtetet e Azisë Qendrore, Kurban Bajrami u festua më 9 korrik. Por në pjesë të tjera të globit, duke përfshirë Pakistanin dhe Indonezinë, shtetin më të madh mysliman në botë, Bajrami u festua më 10 korrik.

    Shumë myslimanë festojnë festën katërditore duke therur bagëtinë [kurbanin] dhe duke e shpërndarë mishin mes të afërmve, fqinjëve dhe të varfërve.

    Por, derisa lufta e Rusisë në Ukrainë i ka bërë çmimet e ushqimeve të rriten në mbarë botën, shumë njerëz thanë se nuk mund të përballonin therrjen e bagëtisë, ritualin fetar për Kurban Bajram.

    Në Afganistan, normalisht ka një nxitim për blerje të kafshëve para festës së Kurban Bajramit. Por këtë vit, rritja globale e çmimeve të ushqimit dhe shkatërrimi ekonomik pas marrjes së pushtetit nga Talibanët e kanë bërë ritualin e therrjes së kurbanit, të pamundshëm për shumë afganë.

    Në Ukrainën lindore, dhjetëra myslimanë ukrainas u mblodhën më 9 korrik për të kremtuar Kurban Bajramin në xhaminë në Kostiantynivka, xhamia e fundit operacionale e mbetur në territorin e kontrolluar nga ukrainasit në Donbas.

    Vetëm pak banorë vendas ishin të pranishëm, pasi lufta ka detyruar shumë të ikin në rajonet perëndimore të vendit. /REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!