Deputetët sot pas dështimit të përpjekjes së 24-të për të konstituar Kuvendin, janë pyetur nga gazetarët për pagat e tyre, nëse i kanë marrë ato, edhe pse institucioni ligjvënës ende nuk është funksional pas ngërcçit politik të krijuar për më shumë se një muaj.
1500 euro u kanë dalë në konto deputetëve edhe pse institucioni ligjvënës nuk po arrinë të konstituohet, dhe ata po punojnë rreth pesë minuta, pasi as kaq kohë nuk po zgjatë seanca, shkruan Reporteri.net.
Është deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, sot që konfirmoi se të zgjedhurit e popullit i kanë marrë pagat, hiç më pak se 1500 euro.
“Nja 1500 euro na kanë dalë pa komisione apo shtesa të tjera. Kjo paga bazë është, se po mendojnë që marrim mëditje, e kam një pagë, e nëse juve gazetarëve iu ka mbet po jau dha. Për qeta jemi zgjedh”, tha Berisha.
Kjo pyetje nuk i ka pëlqyer deputetit të PDK-së, Rashit Qalaj, i cili i tha gazetarëve se nuk është punë e tyre të diskutojnë për pagat e deputetëve.
“Mendoj se nuk është e juaja të diskutoni për pagën e deputetit”, tha Qalaj.
Për çështjen e pagave u pyet edhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, i cili tha se kjo është çështje procedurale e ligjore.
“Nuk vendosi unë për pagën, është çështje procedurale dhe ligjore. Puna po bëhet, seancat thirren sipas rregullores. Deputetët kanë detyrim të marrin pjesë dhe të përfaqësojnë qytetarët, kjo është përgjegjësi kushtetuese,” deklaroi Zemaj.
Kurse, Nezir Kraki deputet nga Vetëvendosje tha se nuk e di nëse i ka dalë paga dhe as nuk e di sa është paga e deputetit.
“Nuk kom kqyrë, hala se kam aktivizu aplikacionin me kqyrë. Nuk e di, nuk e di as sa është paga, diku e kam lexu që është 1700 euro paga bazë po si di ato detajet, beneficionet, s’kam as asistent, s’kam angazhu” , tha ai. /Reporteri.net/.