Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami i është drejtuar Kryeministrit Albin Kurti lidhur me deklaratat e tij të fundit për doracakët për edukimin seksual. Në një video të publikuar në Facebook, ku e quan kryeministrin “inxhinieri Albin Kurti”, Bajrami thotë se ai po e bën një gjë të tillë për të mbuluar skandalet në qeverisjen e tij, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Bajrami e LDK-së ka thënë se në seanëcn e fundit në Kuvendin e Kosovës, Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci mbron kurrikulat dhe doracakët, ndërsa siç thotë Bajrami tani Kurti po thotë se këto kurrikula s’janë miratuar në Qeverinë Kurti 2.
“Kryeministri i Kosovës, inxhinieri Albin Kurti në përpjekje për të kamufluar dështimet dhe skandalet që janë të përditshme në qeverisjen e tij tash e katër vjet në videon e fundit ka lakuar edhe emrin tim. Ka shumë skandale, por ka një adresë të qartë të atyre që janë pjesë e këtyre skandaleve, dhe ka një të vërtetë për secilën prej tyre. Në seancën e fundit Arbërie Nagavci mbron kurrikulat dhe përmbajtjet e doracakëve, inzhinieri Albin Kurti po thotë se nuk janë kurrikula dhe nuk janë miratuar në kohën e Qeverisë Kurti 2”, thotë Bajarami derisa shfaq Nagavcin gjatë fjalës së saj në Kuvend, javën e kaluar.
Nagavci në Kuvend flet për këta doracakë, e ndër të tjera thotë se këto kurrikula janë miratuar nga ta.
Deputetja e LDK-së tha se Kurti doli duke thënë se doracakët janë miratuar në kohën e Hykmetet Bajarami, duke u thirrur në një listë distribuimi ku dokumenti shkon prej një zyrtari të ministrisë tek një zyrtar tjetër për të cilin dokument ajo thotë se s’ka qenë në dijeni, sepse s’ka qenë në atë fazë, dhe se “dokumenti nuk i është adresuar asaj, e s’është emri i saj, dhe se nuk është vendim por njoftim që dokumenti po lëviz brenda institucionit”.
“Pse s’po e qitni dokumentin e miratimit. Nëse unë jam përgjegjëse për një kërkesë në të cilën nuk është emri im dhe i kabinetit tim, po aq përgjegjës është edhe kryeministri i asaj kohe, Albin Kurti”, thotë Bajarami në videon e publikuar.
Sa i përket doracakëve, deputetja e LDK-së thotë se nuk ka asnjë dokument dhe postim në emrin e saj, por “Nagavci me zë e figurë e ka marrë autorësinë e tyre, si arritje”.
Në fund, ajo thotë se Kurti është sinonim i propagandës dhe mundohet me njollos të tjerët pa asnjë fakt, por që sipas saj 9 shkurti do të jetë zgjedhja e qytetarëve se si të vendosin.
“Dëgjo Albin. Kur flasim për propagandë, sinonim i propagandës je vet sepse po mundohesh me i njollos të tjerët pa asnjë fakt…Deklaratat e ministres janë në kundërshtim me tujat. Më 9 shkurt zgjedhja e qytetarëve, e atyre të cilët e kanë jetu të vërtetën gjatë këtyre katër viteve”, shton në fund deputetja e LDK-së.
Dy ditë më parë, të dielën e 17 nëntorit, Kurti përmes një videoje në Facebook, pavarësisht deklaratës së Ministres Nagavci që i kishte deklaruar si arritje, Kurti kishte thënë se doracakët janë hartuar që në vitin 2016 dhe janë miratuar në vitin 2020, duke përmendur këtu emrin e atë kohe Ministres së Arsimit, Hykmete Bajramit, e që më pas publikimi ishte bërë në vitin 2023.
“Doracakët në fjalë, asnjëherë nuk kanë qenë kurrikulë, as tekste shkollore, as lëndë obligative, as tekst obligativ apo tekst për nxënës. Në fund e kuptuam që po i njëjti doracak kishte filluar hartimin në vitin 2016 (kur ministër i Arsimit ishte Dr. Arsim Bajrami nga PDK), e ishte i miratuar në vitin 2020 (kur ministre e Arsimit ishte Dr. Hykmete Bajrami nga LDK), dhe në vitin 2023 është publikuar në faqen e MAShTI-t. Pra, jo në nëntorin e vitit 2024 por në gusht të vitit 2023”, ka deklaruar Kurti.
Në lidhje me shqetësimet e ngritura nga disa prindër, Kurti ka shprehur gatishmërinë e Ministrisë së Arsimit për të rishikuar përmbajtjen e doracakëve dhe për t’i përmirësuar ato për t’u përputhur me standardet e edukimit.
Ai ka njoftuar gjithashtu se një komision i veçantë do të shqyrtojë doracakët, ku do të ftohen të gjitha palët relevante, përfshirë edhe Këshillin e Prindërve të Kosovës.
Pas reagimeve të shumta gjatë javës së kaluar, MASHT-i bëri të ditur se do të rishikohen doracakët në lidhje me edukatën seksuale.
Në njoftim u tha se “s’ka kurrikulë të veçantë për edukim seksual e as tekste shkollore ku fëmijët mësojnë për edukimin seksual”.
“Ju informojmë se në vijimësi të rishikimit të teksteve shkollore, do të rishikohen edhe këta doracakë dhe materialet tjera informative për mësimdhënës”, thuhej në reagimin e MASHT-it në Facebook.