×
  • Lajme
  • Lajme

    Nagavci e quan skandaloz reagimin e kryeministrit Haradinaj ndaj vendimit të KSHC-së

    Reporteri
    15 Korrik 2019 | 21:42

    Deputetja e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, ka vlerësuar se reagimet e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ndaj vendimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, janë sa skandaloze, aq edhe shqetësuese.


    Deputetja Nagavci vlerëson se këto reagime janë kërcënim serioz, jo vetëm për anëtarët e KSHC-së, por për zhvillimet në arsim, për cilësinë dhe të ardhmen e të rinjve e fëmijëve tanë.

    “Në rrethana normale, menaxhmenti i një universiteti publik që nuk akreditohet do të jepnin llogari dhe dorëheqje. Te ne kjo nuk ndodhë, sepse s’kemi staf profesional e me integritet në udhëheqje të universiteteve. As Qeveria Haradinaj s’ka guxim e mundësi të bëjë një gjë të tillë, sepse shumica dërmuese e stafit udhëheqës të universiteteve publike janë persona politik, të emëruar në mënyrë klienteliste e jo rrallëherë me shkelje”, ka shkruar Nagavci në Facebook.

    Ajo ka shkruar edhe se “si në çdo sektor tjetër, ndërhyrjet brutale të qeverisë nuk pushojnë. S’njohin pavarësi institucionale e as profesionalizëm, secili vendim është klientelist, nepotist e partiak, është një garë për punësim militantësh në vendet më të rëndësishme udhëheqëse”.

    Përgjegjësinë thotë deputetja opozitare, duhet kërkuar tek qeverisjet që sollën arsimin në këtë gjendje.

    “Tashmë me dekada është ndërhyrë në sistemin e arsimit, në dëm të cilësisë e në regres të shoqërisë, kjo duhet të marrë fund. Kjo qeveri duhet të largohet sa më parë, secila ditë më shumë më keq për vendin, më problem për të ardhmen”, ka përfunduar deputetja Nagavci./Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!