Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka filluar seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt.
Naim Murseli, i akuzuari për planifikimin e vrasjes së Liridona Ademajt është deklaruar i pafajshëm para Gjykatës, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Unë deklarohem i pafajshëm dhe sa i përket akuzës, vetëm dua të shtoj se po të vërtetohen pretendimet e prokurores, unë vet për veten time do të kërkoj dënim me burgim të përjetshëm”, tha Murseli.
Të akuzuarit tjerë, Granit Plava u mbrojt në heshtje, ndërsa Kushtrim Kokalla u deklarua i pafajshëm.
Prokuroria në fjalën hyrëse tha se ekziston dyshimi i bazuar, i mbështetur në numër të madh të provave materiale që të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen.
“Pas provave te mbledhura dhe gjatë krahasimit të të njëjtave, Prokuroria konsideron që ekziston dyshimi i bazuar që të akuzuarit e cekur kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen. Dyshimi i bazuar i që është mbështetur në numër të madh të provave materiale…”
“Gjatë krahasimit të deklaratave dhe provave të mbledhura material, Prokuroria është bindur dhe do të tentojmë ta bindim edhe trupin gjykues e publikun që të akuzuarit e cekur kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen”, tha prokurorja e rastit. /Reporteri.net/