Naser Hafizi, ushtrues i detyrës së drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore (ARPL) në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), është liruar sot nga paranurgimi.
Lajmin e ka bërë të ditur avokati i tij Ahmet Tahiri, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Sot, drejtësia vendosi që ta lirojë Naser Hafizin nga masa e paraburgimit sipas vendimit te Gjykatës Themelore në Prishtinë. Si avokat i tij, jam i bindur që edhe epilogu përfundimtar i këtij procesi gjyqësor do të jetë pafajësia e tij”, thuhet në postimin e avokatit Tahiri.
Borxhi që operatorët ekonomikë kishin ndaj Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore (ARPL) në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) ishte afër 20 milionë euro. Mirëpo, ushtruesi i detyrës së drejtorit të këtij Autoriteti, Naser Hafizi dyshohet se kundërligjshëm ka iniciuar nxjerrjen e vendimeve për zvogëlimin e borxheve.
Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, kjo dyshohet me qëllim që të përfitojë për vete dhe personave të tjerë, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës.
Hafizi dyshohet për “Keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Shpëlarje parash” si dhe “Mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë të të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”.