×
  • Lajme
  • Lajme

    NATO i ndihmon BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, siguron Stoltenberg

    Reporteri
    12 Tetor 2022 | 12:37
    Sekretari Gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg

    Aleanca e Atlantikut të Veriut (NATO) ndihmon në dialogun për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë Sekretari Gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një përgjigje për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug, përcjell Reporteri.net.

    Stoltenberg u shpreh se NATO-ja është e angazhuar t’i ndihmojë përpjekjeve diplomatike të Bashkimit Evropian në dialogun e Brukselit.

    “Ne, NATO-ja, kemi KFOR-in në Kosovë, kemi selinë në Sarajevë, ne bashkëpunojmë për së afërmi me BE-në. NATO punon për të garantuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes, dhe ndihmon përpjekjet e BE-së në dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, tha Sekretari Gjeneral.

    “Ne po ashtu punojmë me BE-në në Bosnje-Hercegovinë. Kemi shtete anëtare të Ballkanit Perëndimor, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Prandaj, Ballkani Perëndimor është i rëndësishëm dhe do të vazhdojmë të përqendrohemi në rajon”.

    Stoltenberg rikujtoi se NATO-ja ndihmoi për t’i dhënë fund luftave brutale të viteve 1990 në Ballkan.

    Muaj më parë, në dritë të tensioneve të gjeneruara në pjesën veriore të Kosovës, Sekretari Gjeneral i NATO-s e ftoi kryeministri kosovar, Albin Kurtin dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, në selinë e Aleancës së Atlantikut të Veriut në Bruksel, për të diskutuar domosdoshmërinë e uljes së tensioneve mes dy vendeve.

    Stoltenberg është shprehur i prerë se po qe se kërcënohet siguria dhe lëvizja e lirë në Kosovë, misioni paqeruajtës i NATO-s, përkatësisht KFOR-i, do të intervenojë./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!