Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi ka reaguar pas një artikulli të publikuar në portalin kallxo.com, e ku raportohet për të kaluarën e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Kuçi këtë artikull të publikuar sot e ka ndërlidhur edhe me një publikim të mbrëmshëm të kryeministrit Kurti, i cili më pas u fshi nga llogaria e tij në Facebook, shkruan Reporteri.
Ajo ka thënë se sot ky medium i afërt me VV, vazhdoi diskreditimin e gjykatësve të Kushtetueses.
Kuçi ka thënë se institucionet e pavarura si Gjykata Kushtetutese duhet të lejohen të funksionojnë lirshëm dhe të pavarur nga politika, përndryshe iu humbet plotësisht kuptimit i të ekzistuarit.
Reagimi i plotë:
Mbrëmë, Kurti tekstualisht e kërcënoi Gjykatën Kushtetuese për vendimin e saj rreth krijimit të qeverisë së re apo shkuarjes në zgjedhje. Pas disa minutave i ra pishman për këtë gjë, athua që ja lëshoj dorën të tjerëve të vazhdojnë baltosjen e tij.
Sot shohim si portali i qeverisë, kallxo.com, po vazhdon të diskreditoj gjykatësit e Gjykatës Kushtetutese në stilin e Kurtit. Ndërhyrjet politike që po i ndodhin Gjykatës nuk janë asgjë tjetër pos shenja të një dëshpërimi të pushtetit për të rritur autoritetin e tyre ndaj institucioneve të pavarura, duke përdorur çdo mjet të mundshëm. Autoritarizmi nuk duhet të ketë hapësirë në sferën tonë politike. Institucionet e pavarura si Gjykata Kushtetutese duhet të lejohen të funksionojnë lirshëm dhe të pavarur nga politika, përndryshe iu humbet plotësisht kuptimit i të ekzistuarit.