Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUV) ka vendosur ndalimin e përkohshëm të importit të gjedheve të gjalla dhe nënprodukteve të tyre (përfshirë lëkurat) nga rajoni “Auvergne-Rhone Alpes” i Francës, pas konfirmimit të shpërthimit të sëmundjes gungore të lëkurës (Lumpy Skin Disease – LSD).
Vendimi bazohet në raportet më të fundit të Autoritetit për Sigurinë dhe Inspektimin e Ushqimit (ADIS) dhe Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH), të cilat raportojnë rregullisht për shpërthimet e sëmundjeve të rrezikshme te kafshët.
Zëdhënësi i AUV-së, Lamir Thaçi, bëri të ditur se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë është duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme ligjore në përputhje me mandatin dhe rregullat ndërkombëtare për tregtinë dhe qarkullimin e kafshëve të gjalla dhe produkteve ushqimore.
“Po vendosim masa ndaluese të përkohshme për të gjitha llojet e kafshëve që rezultojnë me sëmundje në vendet ku ato raportohen në organizatat ndërkombëtare përkatëse. Në rastin konkret, përveç Francës, masa të njëjta janë marrë edhe për Italinë, ku është konfirmuar po e njëjta sëmundje,” tha Thaçi.
Sipas tij, ndalesat janë të fokusuara vetëm në zonat specifike që janë përmendur në raportimet zyrtare të ADIS dhe WOAH. Ai njoftoi gjithashtu se në Shqipëri është identifikuar shpërthimi i murtajës, ndërsa në Maqedoninë e Veriut është regjistruar sëmundja e “Gjuhës së kaltër”.
Thaçi siguroi se AUV është duke monitoruar me vigjilencë të shtuar situatën dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për të parandaluar futjen e këtyre sëmundjeve në Kosovë dhe për të mbrojtur shëndetin e kafshëve.
Lidhur me mundësinë e transmetimit të këtyre sëmundjeve te njerëzit, Thaçi theksoi se bazuar në të dhënat shkencore deri më tani, nuk ka dëshmi se këto sëmundje mund të prekin njerëzit. Megjithatë, ai bëri thirrje për masa parandaluese, duke theksuar se këto janë sëmundje me ndikim të madh ekonomik që mund të dëmtojnë rëndë ekonominë e fermerëve dhe shtetit.
“Produktet që janë në tregun zyrtar janë të kontrolluara dhe të sigurta për konsum. Në të kundërtën, ato nuk do të lejoheshin në treg,” deklaroi Thaçi.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që, për shkak të rritjes së temperaturave, të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë udhëzimet për ruajtjen e produkteve ushqimore në temperaturat e rekomanduara që janë të shënuara në etiketë./RTK