×
  • Lajme
  • Lajme / Formimi i institucioneve
    INSTANT

    Ndërprerja e seancës konstituive, Kuvendi del me njoftim

    Reporteri
    15 Prill 2025 | 17:49

    Pas afër dy orë punime, seanca konstituive për legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës është ndërprerë, meqë deputetët s’arritën të kalonin pikën e parë të rendit të ditës, atë të miratimit të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit.

    Lidhur me punimet e kësaj seance, Kuvendi ka dalë me një njoftim. Në njoftim thuhet se seanca u ndërpre meqë raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve nuk mori votat e mjaftueshme të deputetëve dhe se në këto rrethana dhe pas një konsulte me përfaqësues të partive, është vendosur që seanca të ndërprehet e të njoftohet Presidentja për hapat e mëtejmë, shkruan Reporteri.net.

    “Kështu, për raportin votuan 52 deputetë, 46 votuan kundër, ndërsa 11 abstenuan”, thuhet në njoftim.

    Aty theksohet se në seancë ishin të pranishëm edhe ambasadorë e përfaqësues të tjerë të misioneve diplomatike në vendin tonë.

    Seanca nisi punimet nën drejtimin e deputetit më të vjetër të legjislaturës, Avni Dehari nga VV, i ndihmuar nga deputetja më e re, Sala Jashari e PDK’së.

    PDK-ja dhe LDK-ja nuk e kanë pranuar dorëheqjen e dorëzuar nga Albin Kurti dhe anëtarët e tjerë të Qeverisë, që janë zgjedhur deputetë. Kurti i ka akuzuar këto parti për “sulm brendainstitucional”.

    Në seancën konstituive duhej që deputetët, pas miratimit të raportit, të bënin betimin dhe të zgjidhinin kryetarin dhe nënkryetarët./Reporteri.net

    Më së shumti Thaçi I, sa vota në Kuvend kishin siguruar qeveritë e kaluara?

    Reporteri
    15 Prill 2025 | 18:37

    Për formimin e një qeverie në Kosovë kërkohen votat e të paktën 61 deputetëve nga gjithsej 120 në Kuvendin e Kosovës. Që nga viti 2008, më së shumti vota në Kuvend ka siguruar qeveria e parë e udhëhequr nga Hashim Thaçi, e votuar më 8 janar 2008.

    Qeveria Thaçi I ishte votuar me 85 vota për. 22 vota kanë qenë kundër dhe katër abstenime. Mandati i kësaj qeverie kishte filluar në janar të vitit 2008 e kishte zgjatur deri në nëntor të vitit 2011, shkruan Reporteri.net.

    Ajo Thaçi II ishte formuar në shkurt të vitit 2011, me 65 vota për, një kundër dhe asnjë abstenim.

    Në vitin 2014, pastaj ishte formuar Qeveria Mustafa. Kjo qeveri kishte marrë në Kuvend 73 vota pro. 38 vota tjera kishin qenë kundër dhe dy abstenime.

    Pas kësaj qeverie, në krye të ekzekutivit kishte ardhur Ramush Haradinaj. Qeveria e tij ishte formuar me 61 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim.

    Në shkurt të vitit 2020, Qeveria e re ishte formuar nga Albin Kurti, apo siç njihet Qeveria Kurti I. Kjo qeveri kishte marrë 66 vota për, teksa 10 të tjera kishin qenë abstenime.

    Në krye të Qeverisë pastaj kishte ardhur Avdullah Hoti. Ai për formimin e qeverisë kishte 61 vota për, teksa 24 të tjera ishin kundër dhe një abstenim. Më vonë, Gjykata Kushtetuese e kishte shpallur votimin për Qeverinë Hoti të pavlefshëm për shkak të votës së një deputeti të dënuar.

    Në vitin 2021 në pushtet ishte rikthyer sërish Kurti. Qeveria Kurti II kishte marrë 67 vota për, teksa 30 tjera kishin qenë kundër.

    Për Qeverinë Kurti III, ende nuk dihet nëse i ka votat.

    Seanca konstituive e Kuvendit ka dështuar sot, pasi raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve nuk mori votat e mjaftueshme të deputetëve.

    Në këto rrethana dhe pas konsultimit të partive, Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ndërpreu punimet dhe deklaroi se do t’i drejtohen Presidentes Vjosa Osmani, se si të veprohet më tutje.

    Deri tani, në adresë të Osmanit nuk ka shkuar asnjë letër.

    Në këtë seancë duhej që deputetët, pas miratimit të raportit, të bënin betimin dhe të zgjidhinin kryetarin dhe nënkryetarët./Reporteri.net

     

    Gruda: Kryeministri dhe ministrat duhet të japin dorëheqje para betimit, letra e Kurtit nuk ishte dorëheqje

    Reporteri
    15 Prill 2025 | 16:38

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka kërkuar që kryeministri dhe ministrat të japin dorëheqje para betimit, duke e cilësuar si të pamjaftueshëm tekstin e dërguar që nuk përmbante dorëheqje.

    Gruda theksoi se ky tekst ishte një njoftim dhe jo një dorëheqje, duke shtuar se PDK ka votuar kundër komisionit për lejimin e betimit të qeverisë për shkak të mos përputhshmërisë me kushtetutën dhe ligjin.

    “Kryeministri dhe ministrat duhet me dhënë dorëheqje para betimit, kjo nuk ka ndodh dhe nuk ka ndodhur na është dërguar një tekst i cili nuk është dorëheqjen për konsideratën time. Është një test si njoftim por nuk ka qenë dorëheqja kjo ka qenë e pa mjaftueshme ne kemi votuar kundër komisionit për lejimin e betimit të kryeministrit dhe ministrave të tij sepse janë të pa pajtueshme me kushtetutën dhe ligjin për qeverinë. Është dërguar sot në mëngjes por ishte përsërisje e asaj që e ka hënë qeveria në ditën e certifikimit të rezultateve”, ka thënë Gruda.

    Enver Hasani thotë se Presidentja s’ka kurrfarë roli, tregon cila është zgjidhja pas bllokadës në Kuvend

    Reporteri
    15 Prill 2025 | 15:44

    Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ka folur për zhvillimet e sotme në Kuvend dhe bllokadën e krijuar pasi nuk kaloi as raporti i Komisionit për Verifikimin e Mandateve.

    Hasani ka thënë se presidentja Vjosa Osmani s’ka kurrfarë roli tashmë, pas asaj që ka ndodhur në Kuvend, dhe sipas tij, vetëm me një marrëveshje të partive politike për votim të raportit mund të ecet tutje.

    “Zero. Asnjë rol nuk ka presidenti/ja aty. Është gabim. Nuk di se kush i ka thënë ashtu”, ka thënë Hasani për REL.

    I pyetur për zgjidhjen se si duhet të veprohet tutje, ai ka thënë se vetëm me një marrëveshje politike mes partive.

    “Rrugëdalja është që të arrihet marrëveshja politike dhe të votohet (miratohet) raporti (i Komisionit për verifikimin e mandateve)”, ka thënë ai tutje.

    Hasani ka sqaruar se “Marrëveshje politike do të thotë dorëheqjen e kryeministrit dhe atyre që janë në poste ekzekutive ose miratimi i raportit, ashtu siç është (situata e tanishme pa dorëheqje të kryeministrit), të bëhet betimi i deputetëve. Në momentin që jepet betimi, atëherë nuk ka nevojë për dorëheqje, sepse objektivisht, i pushon mandati (ekzekutiv). Sipas fuqisë kushtetuese nuk mund të jesh edhe deputet edhe në post ekzekutiv apo në cilindo post tjetër publik”.

    Ai ka thënë se në momentin që betohet si deputet dikush, s’mund të shkojë edhe në zyrën e kryeminsitrit, meq është shkelje e Kushtetutës dhe absurd.

    “Ta sqarojmë. Pra, në momentin që bën betim (për deputet) kushdo qoftë, nuk mund të jetë dhe nuk mund të shkojë në Zyrën e kryeministrit, sepse është jokushtetuese dhe është absurd’, ka thënë ai.

    Më 27 mars KQZ-ja njoftoi vetëm për dorëheqjet e Hamzës, Ahmetit dhe Muhaxherit: A e mashtroi Kurti Kuvendin?

    Reporteri
    15 Prill 2025 | 15:23

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sot ia ka dorëzuar letrën e dorëheqjes nga posti i shefit te ekzekutivit ish-kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca.

    Në letrën që u publikua derisa mbahej seanca konstituive e legjislaturës së nëntë, thuhet se më 27 mars të këtij viti ai e ka njoftuar KQZ-në për aktin e dorëheqjes.

    Megjithatë, ai nuk e ka publikuar deklaratën të cilën pretendon se e ka dërguar në KQZ.

    Në anën tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në po atë datë(27 mars) ka mbajtur një mbledhje, ku ka treguar për dorëheqjet e dorëzuar në KQZ.

    Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniq, në atë mbledhje ka njoftuar se nga pozita e deputetit kanë dhënë dorëheqje vetëm Bedri Hamza(PDK), Gazmend Muhaxheri(LDK) dhe Imri Ahmeti(LDK).

    Në adresimin e tij, i pari i KQZ-së askund nuk e ka përmendur se Kurti ka dhënë dorëheqje nga postin e kryeministrit, siç pretendon në letrën e publikuar sot.

    Kjo ka lënë të nënkuptohet që kryeministri në detyrë nuk e ka njoftuar KQZ-në për aktin e dorëheqjes.

    Deri me tani, njoftimi i Kurtit për dorëheqje nuk është publikuar.

    Madje, këtë njoftim sot ia ka kërkuar edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

    Pas ndërprerjes së seancës konstituive, ai ka thënë se Kurti nuk ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit.

    “Nuk është kjo dorëheqje. Kjo në komision është një letër, ku ai zotnia, kryeministri në detyrë, por jo i dorëhequr, thotë: unë e kom pas njoftu KQZ-në. Ku është njoftimi ? Askush nuk e ka parë atë njoftim, as KQZ-ja, as ju, as unë”, ka thënë Krasniqi.

    Çka thuhet në letrën e Kurtit?
    Derisa Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve e mbante mbledhjen e tij, përfaqësuesi i VV-së në këtë komision, deputeti Artan Abrashi, ka prezantuar letrën përmes së cilës pretendohet se Kurti ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit.

    Aty thuhet se ai ka respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

    “I nderuar Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca, Që nga 23 marsi kur përfundoi mandati i plotë katërvjeçar i qeverisjes sonë, qeveria është në detyrë/dorëheqje. Në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, me deklaratën që kam dhënë dhe është pranuar në KOZ me datë 27 mars 2025, dhe me qëndrimin tim publik të po asaj dite, efektivisht jam i dorëhequr bashkë me kabinetin qeveritar”, është thënë në letër, duke dhënë disa detaje tjera.

    “Për qëllim betimin si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, të legjislaturës së nëntë, po e përcjell edhe zyrtarisht njoftimin tim për dorëheqje nga posti ekzekutiv, veçse efektiv që nga data e lartcekur sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi”, është thënë në letër.

    Opozita nuk e ka njohur këtë letër dhe për këtë arsyeje nuk e ka votuar raportin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve.

    Pas dështimit të votimit të këtij raporti, kryesuesi i seancës konstituive të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, ka ndërprerë seancën pasi konstituive.

    Ai ka thënë se pas kësaj seance do t`i drejtohet presidentes Vjosa Osmani se si të veprohet më tutje.

    “Për shkak të rrethanave të krijuara, meqë raporti i komisionit nuk mori votat e mjaftueshme. Në këto rrethana detyrohem ta ndërpresin seancën dhe me një letër ta njoftojmë presidenten se si do të veprohet në të ardhmen”, ka thënë Dehari.

    Pa u miratuar ky raport, Kuvendi nuk mund të kalojë në pikat tjera, që janë betimi i deputetëve dhe zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetareve të Kuvendit./nacionale/

    Daut Haradinaj: Edhe zgjedhjet janë zgjidhje

    Reporteri
    15 Prill 2025 | 15:13

    Pas dështimit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, ka reaguar deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj.

    Haradinaj ka thënë se Kosova mund të shkojë sërish në zgjedhje.

    “Edhe zgjedhjet janë zgjidhje.”, ka shkruar Haradinaj.

    Çitaku: “Albin, jep dorëheqje nga pozita e Kryeministrit, eja ulu si deputet dhe përfundon kjo punë”

    Reporteri
    15 Prill 2025 | 15:12

    Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku i ka kërkuar Kurtit që të japë dorëheqje nga posti i Kryeministrit, dhe të ulet në Kuvend si deputet, shkruan Reporteri.net.

    Ajo shkruan se Kurti me këtë sot ka dalë “skenarist i dobët”.

    “Krejt kjo situatë është pasojë e paaftësisë së VV-së për të pasur shumicë”, shkruan mes tjerash Çitaku.

    Postimi i plotë:

    Albin, jep dorëheqje nga pozita e Kryeministrit. Eja ulu si deputet dhe përfundon kjo punë.

    Në fund të fundit, ligjin për këtë e keni miratuar vetë.

    Mjaft më me drama e filma, se edhe ashtu, skenarist i dobët dole.

    Pastaj, leni akuzat e zbrazëta. Jeni ju që po komunikoni me Listën Serbe për vota e pazare.

    Është e qartë: krejt kjo situatë është pasojë e paaftësisë së VV-së për të pasur shumicë.

    Ndërkohë që në Kuvend u shfaq një dramë e dobët, drama e vërtetë po përjetohet çdo ditë nga familjet kosovare , me çmime të papërballueshme të energjisë dhe rritje enorme të kostos së produkteve bazike.

    Memli Krasniqi: Koalicioni VV-Guxo-Alternativa nuk e kishte shumicën e nevojshme parlamentare

    Reporteri
    15 Prill 2025 | 15:11

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës sot dështoi, sepse koalicioni VV-Guxo-Alternativa nuk e kishte shumicën e nevojshme parlamentare, si dhe për shkak të insistimit të kryeministrit dhe ministrave të tij për të mbajtur postet aktuale dhe atë të deputetit.

    Krasniqi është shprehur se larg manipulimeve dhe tymnajës që po tentohet të krijohet nga qeveritarët në largim, situata është më se e qartë.

    “Koalicioni VV-Guxo-Alternativa nuk e kishte shumicën e nevojshme parlamentare, sepse vetëm 52 deputetë votuan sipas kërkesës së tyre. E dyta: Insistimi i tyre për të mbajtur pozitat qeveritare dhe njëkohësisht për t’u betuar si deputetë, pa dhënë dorëheqje zyrtare, është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Qeverinë, të cilin ligj e kanë hartuar vet”, ka shkruar kreu i PDK-së në Facebook.

    Sipas Krasniqit, PDK nuk do të mbështesë asnjë proces që bie ndesh me Kushtetutën, siç u tentua të ndodhte sot, sepse Kosova ka nevojë për institucione të ligjshme dhe demokratike.

    “Andaj i ftojmë qeverinë në detyrë, që të japin dorëheqje zyrtare nga pozitat qeveritare, të vijnë menjëherë në seancë që ta konstituojmë Kuvendin dhe pastaj vazhdojmë me fazat e tjera kushtetuese për themelimin e Qeverisë Kosova ka nevojë për institucione të ligjshme, funksionale dhe të dala nga vullneti i qytetarëve – jo për improvizime jokushtetuese dhe lojëra politike që e vonojnë formimin e tyre. PDK kërkon formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja dhe demokratike, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit”, ka theksuar Krasniqi.

    Haradinaj: Kurti e bllokoi konstituimin e Kuvendit, s’mund të ulesh në dy karrige njëkohësisht

    Reporteri
    15 Prill 2025 | 15:09

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se Albin Kurti e ka bllokuar sot konstituimin e Kuvendit, shkruan Reporteri.net.

    Ai thotë se me Ligj e Kushtetët, Kurti s’mund të mbajë edhe postin e Kryeministrit edhe atë të deputetit.

    “Ne nuk mund ta shkelim Kushtetutën dhe të veprojmë ndryshe, prandaj nuk e votuam raportin”, ka shkruar Haradinaj.

    Postimi:

    Konstituimin e Kuvendit sot e ka bllokuar vetë Albin Kurti. Ligji e Kushtetuta e këtij shteti nuk lejojnë që të mbash edhe postin e Kryeministrit apo të Ministrit dhe të betohesh si deputet.

    Nuk mund të ulesh në dy karrige njëkohësisht. Ne nuk mund ta shkelim Kushtetutën dhe të veprojmë ndryshe, prandaj nuk e votuam raportin.

    Albin Kurti me ministrat e tij, nëse duan ta konstituojnë Kuvendin, le të tërhiqen ose nga postet ministrore, ose nga mandati i deputetit, e të mos i fajësojnë të tjerët për gabimet e veta.

    /Reporteri.net/

    Cakolli: Seanca e radhës për konstituimin e Kuvendit mund të thirret sonte dhe më së voni deri të enjten

    Reporteri
    15 Prill 2025 | 14:43

    Seanca e sotme e kuvendit u mbyll për shkak të mungesës së dorëheqjeve nga ministrat në detyrë të kabinetit qeveritar, tha Eugen Cakolli nga KDI.

    Ai theksoi se arsyeja kryesore për dështimin e seancës së sotme kanë qenë mungesa e numrave për votimin e raportit për verifikimin e mandateve të deputetëve.

    “Në fakt unë besoj që janë dy arsye kryesore përfshirë këtu mungesën e numrave dhe së dyti që besoj se është çështja më kryesore ekzistimi i një konflikti në mandatet të paktën e 16 deputetëve të rinj të zgjedhur të kësaj legjislature ku spikatet normalisht mandati i kryeministrit Kurti, por edhe 15 ministrave të tjerë të cilët nuk ishin deponuar dorëheqjen e tyre në qeveri”, ka deklaruar ai.

    Cakolli po ashtu sqaroi se nuk ka nevojë të përfshihet presidentja, sipas tij mjafton që Dehari në cilësinë e kryesuesit të seancës të dërgojë ftesa për deputetët për seancën e radhës që mund të mbahet sonte, më së voni të enjten.

    “Në fakt presidentja e vendit e ka përmbushur mandatin dhe detyrimin e saj ligjor e Kushtetues në momentin që e ka thirr seancën konstituive tashmë menaxhimi i seancës, mbarëvajtja janë përgjegjësi ekskluzive e Deharit si kryesues i Seancës normalisht në diskutim me gjitha forcat parlamentare. Seanca e radhës të re duhet të thirret jo më vonë se të enjten, por normalisht kjo nuk e përjashton si mundësi që një seancë të thirret qysh sonte në rast se sigurohen numrat e nevojshëm “, tha ai ndër të tjera.

    Kurti del nga Kuvendi, s’iu përgjigjet gazetarëve: E kam dhënë një deklaratë, mund ta lexoni

    Reporteri
    15 Prill 2025 | 14:30

    Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka dalë nga objekti i Kuvendit të Kosovës pas dështimit të seancës konstituive.

    Pyetjeve të gazetarëve ai iu përgjigj duke i referuar te një postim që e kishte bërë pak më herët në Facebook.

    “E kam dhënë një deklaratë tashmë të shkurtër, të cilën mund ta lexoni”, ka thënë Kurti.

    Në këtë posti, Kurti ka shkruar se deputetët e “PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK sot votuan kundër raportit të komisionit për verifikimin e mandateve”, duke i akuzuar ata për bllokim të institucioneve.

    “Në një votim krejt formal e teknik që bazohet në dokumentacionin e KQZ-së, ata u rebeluan kundër betimit të deputetëve dhe konstituimit të legjislaturës së nëntë. Ky është sulm brenda institucional kundër Republikës së Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike. Kjo është situatë e paparë në shtetin tonë e shumë më gjerë. Ne qeverisim mbarë e mirë, këta lanë nam e bëjnë lajm të keq për shtetin tonë. Se janë kundër qeverisë e Republikës dihet, por se janë edhe kundër vetvetes, këtë e mësuam sot”.

    Deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së s’e votuan këtë raport pa një dorëheqje zyrtare të Kurtit dhe ministrave që fituan mandate në këto zgjedhje.

    Memli Krasniqi, Kurtit: Jep dorëheqje, hajde në Kuvend dhe e shohim kush e bën qeverinë

    Reporteri
    15 Prill 2025 | 14:21

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi është shprehur se çdo vonesë për t’i konstituuar institucionet është humbje për Kosovën.

    Ai ka bërë thirrje Kurtit dhe ministrave të tij që janë zgjedhur deputetë, të japin dorëheqje dhe e pastaj të shkojnë në Kuvend.

    “Jep dorëheqje, hajde e mbajmë seancën. Propozoje kryetarin, zgjedhe, i propozojmë nënkryetarët. Hyjmë pastaj në proces kushtetues dhe e këqyrim kush e bën qeverinë”, shtoi Krasniqi.

    Krasniqi tha se sot u pa që Albin Kurti i ka 52 vota dhe se kjo është fuqia e tij aktuale politike.

    “Jam i bindur, prej kësaj që po e shoh sot, me 52 vota që z. Kurti nuk mund ta bëjë qeverinë. Ne jemi të gatshëm, në rast të dështimit të tij menjëherë ta marrim përgjegjësinë me partitë që kanë qenë në të kaluarën në opozitë, dhe me komunitetet pakicë të Kosovës, përveç Listës Serbe, që ta bëjmë qeverinë e re me Bedri Hamzën kryeministër”, tha ai.

    Hoti: Kuvendi s’u konstituua pasi VV-ja s’respekton Kushtetutën

    Reporteri
    15 Prill 2025 | 14:02

    Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje s’ka respektuar Kushtetutën, shkruan Reporteri.net.

    Sipas tij, Kuvendi i Kosovës sot nuk u konstituua për këtë arsye.

    Postimi:

    Vendit i shërbehet duke respektuar Kushtetutën dhe ndarjen e pushteteve, duke treguar maturi politike në çdo rrethanë, duke treguar gjithmonë përkushtim ndaj interesit të shtetit, duke treguar gatishmëri për të bartur çdo kosto politike kur avancohet interesi shtetëror.

    Kuvendi i Kosovës sot nuk u konstituua për arsye të mungesës së këtyre vlerave tek partia që ka dalë e para në zgjedhje.

    /Reporteri.net/

    Kusari-Lila: “Opozita e ardhshme” treguan se nuk e pranojnë rezultatin e zgjedhjeve që vetë e kishin pranuar dhe votuar në KQZ

    Reporteri
    15 Prill 2025 | 13:44

    Deputetja e VV-së, Mimoza Kusari-Lila ka reaguar pasi në Kuvend nuk u votua raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve, shkruan Reporteri.net.

    Ajo ka thënë se PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe votuan edhe kundër mandateve të tyre dhe se sipas saj me këtë veprim ata treguan se s’pranojnë rezultatin e gjedhjeve që vetë e kishin pranuar.

    Postimi i plotë:

    Për herë të parë në Kosovë, opozita aktuale dhe ajo e ardhshme nuk e voton raportin për certifikimin e rezultateve dhe konfirmimin e mandateve.

    PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe votuan së bashku kundër konstituimit të Kuvendit – pra edhe kundër mandateve të tyre. Me këtë veprim, sot, përmes një tjetër shfaqjeje të paaftësisë së tyre të vazhdueshme, treguan se nuk e pranojnë më rezultatin e zgjedhjeve që vetë e kishin pranuar dhe votuar në KQZ.

    /Reporteri.net/

    Hapat pas dështimit të seancës konstituive, Presidenca nuk ka pranuar ende ndonjë letër nga Kuvendi

    Reporteri
    15 Prill 2025 | 13:41

    Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka dështuar, pasi  nuk kaloi raporti i Komisionit për verifikimin e mandateve.

    Kryesuesi i seancës, Avni Dehari  tha se do t’i drejtohen me një letër presidentes, Vjosa Osmani, se si të veprohet më tutje. Nga Presidenca e Kosovës kanë bërë të ditur për gazetën online Reporteri.net se ende nuk kanë pranuar ndonjë letër nga Kuvendi sa i përket kësaj çështje.

    “Deri më tani nuk ka arritur asnjë letër nga Kuvendi. Para përgjigjes duhet të vijë pyetja”, ka thënë për Reporteri.net këshilltari për media në Presidencë, Bekim Kupina.

    PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja kanë votuar  sot kundër raportit për verifikimin e mandateve. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se nuk e kanë votuar raportin, pasi e vlerësojnë se ai është kundërkushtetues.

    Ndërkaq, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se Vetëvendosje s’ka respektuar rregullin bazik të Kushtetutës.

     

    Kurti histerik pasi dështoi konstituimi i Kuvendit, përmend rebelim dhe sulm brenda institucional

    Reporteri
    15 Prill 2025 | 13:31

    Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti pas dështimit të seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka thënë se partitë e tjera politike, PDK, LDK, AAK dhe Lista serbe sot u rebeluan kundër betimit të deputetëve.

    Ai tha se dështimi i seancës është ulm brenda institucional kundër Republikës së Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike

    “Deputët e opozitës PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK sot votuan kundër raportit të komisionit për verifikimin e mandateve. Në një votim krejt formal e teknik që bazohet në dokumentacionin e KQZ-së, ata u rebeluan kundër betimit të deputetëve dhe konstituimit të legjislaturës së nëntë. Ky është sulm brenda institucional kundër Republikës së Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike. Kjo është situatë e paparë në shtetin tonë e shumë më gjerë. Ne qeverisim mbarë e mirë, këta lanë nam e bëjnë lajm të keq për shtetin tonë. Se janë kundër qeverisë e Republikës dihet, por se janë edhe kundër vetvetes, këtë e mësuam sot.”, ka shkruar ai.

    Nuk folën në seancë, Limaj thotë se me Haradinajn ka komunikuar në bufe

    Reporteri
    15 Prill 2025 | 13:23

    Kryetari i NISMA’s, Fatmir Limaj i cili u pa që sot në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Kosovës nuk komunikoi me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, me të cilin garoi në zgjedhje, tha se me këtë të fundit ka komunikuar në bufenë e Kuvendit.

    “Jo po kemi folë, kemi folë në byfe. “, tha Limaj shkurt.

    Ai pyetjes nëse është pajtuar me Haradinajn i’u përgjigj: Pse çka kemi pas?

    Limaj i kalon përskaj Ramush Haradinajt në sallën e Kuvendit, s’komunikojnë fare

     

    Abdixhiku: VV-ja po e bllokon procesin pasi s’i ka numrat, s’mund të jesh edhe Kryeministër edhe deputet

    Reporteri
    15 Prill 2025 | 13:19

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se Vetëvendosje s’ka respektuar rregullin bazik të Kushtetutës

    “Është një episod i errët kur partia fituese nuk respekton rregullin bazik kushtetues, ku thotë një i zgjedhur s’mund të jetë edhe kryeministër apo ministër edhe deputet i Kuvendit të Kosovës. Qëndrimi i partisë fituese me dhjetë deputetë që ushtrojnë funksione si ministra, është qëndrim jokushtetues i cili bëhet si pjesë e një lojë politike për të zvarritur formimin e instituiconeve. Zgjidhja e thjeshtë, dorëheqje nga pozitat që i kanë, e të ulën në Kuvend e të bëjnë betimin si deputet dhe kështu nis formalisht konstitutimi i Kuvendit të Kosovës”, tha Abdixhiku.

    “Ata që komunikojnë me mesazhe për bërjen e votave nga Lista Serbe, më së paku duhet të flasin për koordinimi”, shtoi tutje ai.

    I pyetur për letrën e dorëheqjes të publikuar nga VV-ja, ai tha se të njëjtit kanë shkuar në zyret e tyre, e kur tani punën e kanë në Kuvend, dhe se sipas tij s’ka kuptim kjo letër.

    Ai tha se partia që ai drejton do ta votojë komisionin sapo të jepet dorëheqja, ndërsa shton se VV-ja po e bllokon këtë proces pasi s’i ka numrat.

    “Nëse është dhënë një letër dorëheqje dhe të njëjtit kanë vazhduar në zyre, dhe zyret i kanë këtu, atëherë çfarë vlere ka kjo letër. Dyjat smund të bëhen. LDK-ja do të votojë menjëherë sapo të jepet dorëheqja”.

    “S’mund të jesh edhe kryeministër, edhe ministër edhe deputet. Është proces bllokues i partisë në pushtet, pasi si ka numrat”, përfundoi kryetari i LDK-së.

    /Reporteri.net/

    Kuvendi dështoi të konstituohet, çka tash? Flet Ehat Miftaraj

    Reporteri
    15 Prill 2025 | 13:11

    Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë, pasi nuk arriti të merrte votat e mjaftueshme pika e parë e rendit të ditës, ajo për Raportin e Komisionit për verifikimin e kuorumit dhe mandateve. Deputeti më i vjetër që po udhëhiqte këtë seancë, Avni Dehari njoftoi se do t’i drejtohet Presidentes Vjosa Osmani se si të veprohet me tutje.

    Lidhur me këtë, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha për Gazetën Online Reporteri.net se në këtë rast vonesat s’do të ishin të përshtatshme.

    Në një situatë kur Kosova e ka pikë të diskutimit që të konstituohet Kuvendi, të formohen institucionet, çdo vonesë e mëtutjeshme mund të themi që do të thotë nuk i shkon për shtati ose nuk përkon me interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës“, tha Mifataraj.

    Sipas Miftarajt VV-ja solli situata të pakëndshme sot, me informimin për dorëheqjet e tyre në mënyrë paralele kur dhe po mbahej seanca konstituive.

    Besoj që barra më e madhe i bie partisë që ka fituar më së shumti vota të cilët njëfarë mënyre nuk e informojnë publikun dhe sjellin situata të tilla të pakëndshme, ku informohet publiku se kanë dhënë dorëheqje në mënyrë paralele kur ishte duke u mbajtur seanca konstituive“, tha ai për Reporteri.net.

    Për Raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit kundër votuan deputetët e PDK-së, LDK-së e AAK-së.

    Memli Kransiqi nga PDK tha se s’mund të votojmë raportin nëse anëtarët e Qeverisë s’japin dorëheqje.

    “Kushtetuta e thotë qartë se nuk mund të bëhesh deputet nëse je kryeministër apo ministër”, tha Krasniqi, duke shtuar se deputetët e zgjedhur të LVV-së – që aktualisht janë pjesë e Qeverisë në detyrë – duhet të japin dorëheqje sepse s’mund të mbajnë të dy postet.

    Edhe Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, i caktuar në Komisionin për verifikim të mandateve, tha se votoi kundër raportit për shkak se e morën me vonesë dokumentacionin për dorëheqjen e kryeministrit dhe ministrave.

    “Nuk është shpërndarë dokumentacioni me kohë sa i përket aktit të dorëheqjes së kryeministrit dhe ministrave të cilët janë zgjedhur si deputetë”, deklaroi Zemaj.

    VV-ja mori mbështetje nga tre deputetët e NISMËS, kurse Duda Balje dhe Veton Berisha s’morën pjesë në këtë votim.

    Haxhiu akuza PDK-së, LDK-së e AAK-së: Po tentojnë ta pengojnë konstituimin e Kuvendit, hall e kanë Albin Kurtin e Vetëvendosjen

    Reporteri
    15 Prill 2025 | 13:11

    Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, ka akuzuar PDK-në, LDK dhe AAK-në se qëllimshëm po tentojnë ta vonojnë konstituimin e Kuvendit, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Ajo e cilësoi si të paprecedentë mosvotimin e raportit të Komisonit për verifikimin e mandateve dhe kuorumit nga këto parti.

    ‘‘Ne sot ishim të pranishëm në seancën konstituive. Grupi parlamentar i VV-së ishte i pranishëm dhe ishte i gatshëm të bënte betimin dhe të vazhdonte me procedurat tjera. Por siç e patë ndodhi një situatë e paprecedentë, opozita nuk e votoi raportin për Komisionin për verifikimin e mandateve dhe kuorumit ndonëse gjithçka ishte në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi. Kjo opozitë asnjë fjalë se tha asnjëherë kundrejt Listës Serbe, as në KQZ as në kohën kut diskutohej për çertifikimin e rezultateve, por këta e kanë hall Albin Kurtin e Vetëvendosjen.

    Këta s’ishin të interesuar ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës, këta po tentojnë ta vonojnë konstituimin e Kuvendit, dhe jemi në këtë rrethanë. Kryesuesi i seancës ka thënë se për shkak të rrethanave do të njoftohet presidentja dhe pastaj e shohim se cili do të jetë vazhdimësia’’, ka thënë ajo mes tjerash.

    Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës u ndërpre pas afër dy orë punime. Deputetët s’arritën të kalonin pikën e parë të rendit të ditës, atë të miratimit të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit./Reporteri.net/

    Kurti dhe kabineti i tij dhanë dorëheqje, por Peci thotë se do të kthehet në zyrën e ministrit

    Reporteri
    15 Prill 2025 | 13:06

    Faton Peci, i cili sot dha dorëheqje nga pozita e Ministrit të Bujqësisë, tha se pavarësisht kësaj ai do të kthehet sërish në zyrën e tij në ministri.

    Sipas tij, dështimi i konstituimit të Kuvendit do të krijojë një hendek të madh dhe nëse largohen nga zyrat, atëherë kjo do të konsiderohej tradhti kombëtare, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Ligji e thotë se dorëheqja duhet të bëhet para betimit. I kemi deponuar dorëheqjet te Albin Kurti dhe ai i ka deponuar te ish-kryetari, Glauk Konjufca. Nuk ka asnjë mekanizëm tjetër se si mund të veprohet ndryshe, por ajo që dihet është që Lista Serbe dhe opozita e pamundësoi konstituimin e institucioneve ose hapin e parë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Të gjithë ministrat kanë ofru dorëheqje mirëpo pavarësisht se kemi dhënë dorëheqje unë kthehem në zyrën ku e kam të ministrit për shkak se largimi i kryeministrit në detyrë nga zyra dhe largimi i ministrave nga zyret e ministrive do të mundësonte krijimin e një hendeku të madh. Nesër dikush mundet me thënë se kemi bërë vepër penale deri në nivel të tradhtisë kombëtare.”, u shpreh ai.

    Bajrami: Deri të ketë dorëheqje efektive që Kurti e ministrat të mos mund të kthehen në zyrë, LDK voton kundër

    Reporteri
    15 Prill 2025 | 13:02

    Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Hykmete Bajrami, në një prononcim për media ka thënë se LDK s’voton raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve deri në momentin që do të ketë dorëheqje efektive nga Kurti dhe ministrat e tjerë që janë zgjedhur deputet.

    Bajrami ka thënë se dorëheqja efektive nënkupton që Kurti dhe ministrat të mos mund të kthehen më në zyrat e tyre dhe ka shtuar se vetëm pasi ta bëjnë një gjë të tillë mund të betohen si deputet.

    “Rregullorja ligji dhe Kushtetuta e kërkon që ministrat dhe kryeministri të japë dorëheqje dhe pastaj të vijnë ta bëjnë betimin. Derisa të ketë dorëheqje efektive që këta s’mund të kthehen në në zyrat e tyre e të marrin vendime, ne do të votojmë kundër në këtë Komision”, ka thënë Bajrami.

    Seanca konstituive e  Kuvendit të Kosovës u ndërpre pas afër dy orë punime. Deputetët s’arritën të kalonin pikën e parë të rendit të ditës, atë të miratimit të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit./Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!