Autor: Hasan Hoti
Zyra për Çështjet e Kategorive të Dala nga Lufta e UÇK-së, ka mbetur e mbyllur që nga dita kur në krye të Qeverisë ka ardhur Albin Kurti, shkruan Gazeta Online “Reporteri”.
Jo për ndonjë arsye të veçantë, por kjo zyrë duhet të hapet sa herë të ndërrohet Qeveria me vendim të posaçëm të kryeministrit, meqë ajo është në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.
E mbyllja e kësaj zyre, ka bërë që shumë qytetarë që i përkasin këtyre kategorive, të mbesin pa marrë shërbime.
Nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, thonë se shumë qytetarë po drejtohen tek ta pas mbylljes së kësaj zyre. Madje, ish-udhëheqësi i kësaj zyre, shtron nevojën që ajo të ndahet nga stafi politik i zyrës së kryeministrit.
Sylë Vitia, i cili në kohën e Qeverisë Hoti ka qenë këshilltar për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, thotë se ka tentuar që ta depolitizojë këtë pozitë dhe se drejtori i saj të zgjidhet përmes një konkursi të hapur me mandat të plotë dhe se stafi i saj të jetë permanent.
Në një prononcim për Gazetën Online “Reporteri”, Vitia tha se kjo zyre është e mbyllur që nga 23 marsi.
“Qëndrimi im ka qenë që nga fillimi se në momentin kur kam shkuar në zyre kam kërkuar që të përfshihet në rregullore të kabinetit të kryeministrit Zyra për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e UÇK-së dhe të depolitizohet kjo Zyre. Kam kërkuar që drejtori të zgjidhet me konkurs dhe stafi i saj të jetë permanent, në mënyrë që mos të pësojnë kategoritë e dala nga lufta për shkak të ndërrimeve të qeverive. Është e dhimbshme të pësojnë kjo kategori për shkak të ndryshimeve qeveritare. Më 23 mars, në momentin që është bërë ndryshimi i qeverisë, me automatizëm është mbyllur kjo zyre”, tha Vitia.
Mosfunksionimi i kësaj zyre po del të jetë problem edhe për Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Hapjen e sa më shpejt e ka kërkuar u.d i Kryetarit të OVL-së së UÇK-së, Faton Klinaku.
“Kjo çështje nuk është dashtë që të shtyhet por të caktohet personi menjëherë, pasi personi në atë zyre është edhe këshilltar për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta dhe është mirë që Qeveria ta hap menjëherë, sepse ne po kemi probleme të shumta për shkak se po vijnë vazhdimisht qytetarë që po kërkojnë shërbime nga ajo zyrë, siç është çështja e studentëve që kërkojnë vërtetime për lirim nga semestra apo për t’i realizuar të drejtat e tyre nëpër fakultete”, tha Klinaku për Reporteri.net.
Ndërkohë, Reporteri ka tentuar të marrë një qëndrim nga ana e Qeverisë, por të njëjtit deri në publikimin e këtij lajmi nuk janë përgjigjur thirrjeve të redaksisë.