×
  • Lajme
  • Lajme

    Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA-ve bisedon me Osmanin, kërkon angazhim në dialogun me Serbinë

    Reporteri
    26 Prill 2021 | 20:24

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka zhvilluar një bashkëbisedim me ambasadorin Philip Reeker, U.D. i ndihmës Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, i cili e uroi atë për zgjedhjen si Presidente e Kosovës.


    Ambasadori Reeker theksoi se raportet e SHBA-ve me Kosovën janë të bazuara në vlerat demokratike dhe qëllimet e përbashkëta.

    Më tej, ambasadori Reeker rikonfirmoi interesimin e Presidentit Biden për të mbështetur Kosovën drejt zhvillimit dhe zbatimit të reformave të nevojshme.

    Po ashtu, ambasadori Reeker potencoi angazhimin e SHBA-ve për të mbështetur shtetet e Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

    “Osmani nënvizoi se partneriteti me SHBA-të është jetik për realizimin e prioriteteve të institucioneve të Kosovës në sigurimin e vaksinës kundër COVID-19 për qytetarët e Kosovës, si dhe zbatimin e reformave te brendshme që do të shtonin punësimin dhe do të luftonin në mënyrë efikase korrupsionin”, thuhet në njoftimin për media.

    Ndërsa sa i përket dialogut me Serbinë, ambasadori Reeker theksoi se SHBA-të inkurajojnë palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive drejt arritjes së marrëveshjes ligjërisht të obligueshme, e cila do të rezultonte në njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

    Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e përmirësimit cilësor të procesit të dialogut që bazohet në paprekshmërinë e territorit të Kosovës dhe karakterin unitar të shtetit e që i kontribuon paqes dhe prosperitetit në rajon. Presidentja Osmani theksoi se për Kosovën, ndriçimi i fatit të të pagjeturve mbetet prioritet të cilin institucionet synojnë ta shtyjnë përpara dhe për këtë kërkoi përkrahjen e SHBA-ve.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!