×
  • Lajme
  • Lajme / Analiza e UNDP

    Ndikimi i liberalizimit të vizave në ekonomi: 54.3 përqind e të anketuarve presin rritje të mundësive për punë dhe biznes

    Reporteri
    25 Nëntor 2024 | 17:43

    Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë ka publikuar sot Analizën e Pulsit Publik mbi Efektet e Liberalizimit të Vizave në Migrim, ku shqyrtohet ndikimi i liberalizimit të vizave në ekonomi dhe hulumton demografinë e atyre që janë larguar që nga janari 2024, duke përfshirë gjininë, përkatësinë etnike, moshën, arsimin, profesionin, nivelin e të ardhurave dhe vendbanimin, si dhe pritshmëritë dhe planet e tyre.

    Sipas kësaj analize, shumica e të anketuarve (95.3 përqind) e lidhin saktë liberalizimin e vizave Shengen të BE-së me aftësinë për të udhëtuar pa vizë, ndërsa vetëm një përqindje e vogël gabimisht besojnë se kjo u jep të drejtën për të punuar kudo në BE (2.5%) ose qëndrim të përhershëm (1.5 përqind).

    ”Ndërgjegjësimi për kufizimet e liberalizimit të vizave, veçanërisht se ai lejon qëndrime të shkurtra, por jo punësim, ndryshon ndjeshëm sipas përkatësisë etnike. Shqiptarët e Kosovës tregojnë një nivel më të lartë të vetëdijes së plotë (75.5 përqind) krahasuar me serbët e Kosovës (25.0 përqind), ku komunitetet e tjera të Kosovës janë në mes”, thuhet në komunikatë.

    Aty theksohet se efekti më i parashikuar i liberalizimit të vizave është pritshmëria e rritjes së mundësive për punë dhe biznes, ku 54.3 përqind e të anketuarve e kanë theksuar këtë si përfitim kyç.

    “Një pjesë e konsiderueshme e të anketuarve (47.3 përqind) gjithashtu parashikojnë rritjen e shkëmbimit kulturor dhe turizmit si një përfitim të madh të liberalizimit të vizave. Për më tepër, 33.8 përqind presin përmirësim të shkëmbimit arsimor, duke treguar një njohje të gjerë të potencialit për ndërveprim më të madh kulturor dhe arsimor ».

    Shumica e të anketuarve kanë shprehur optimizëm për ndikimin pozitiv të liberalizimit të vizave në ekonomi.

    ”Konkretisht, 72.7 për qind parashikojnë një efekt pozitiv, nga të cilët 26.4 për qind presin të jetë shumë pozitiv. Kjo reflekton një besim të fortë se liberalizimi i vizave do të kontribuojë në rritjen ekonomike, veçanërisht në zonat urbane ku 76.9 përqind e shohin ndikimin shumë pozitivisht dhe pozitivisht. ”

    Në analizë thuhet edhe se shumica e të anketuarve (92.1 përqind) besojnë se liberalizimi i vizave ka të ngjarë të çojë në më shumë investime të huaja direkte.

    Mbi gjysma e të anketuarve (52.2 përqind) janë të kënaqur me mundësitë e tyre aktuale profesionale.

    Të anketuarit theksojnë gjithashtu përfitimet e mundshme për sektorin e turizmit, me 35.0 përqind që besojnë se turizmi do të përfitojë ndjeshëm nga liberalizimi i vizave, ndërsa 40.3 përqind mendojnë se do të ketë një ndikim të moderuar.

    Në komunikatën e lëshuar thuhet se 35.6 përqind e të anketuarve të moshës  18-24 vjeç mendojnë ose kanë gjasa të largohen jashtë vendit. ”Përkundrazi, kjo konsideratë zvogëlohet ndjeshëm tek grupmoshat më të vjetra, me vetëm 5,0 për qind e atyre të moshës 45-54 dhe 3,0 për qind e atyre të moshës 55-64 vjeç që mendojnë për një lëvizje”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!