×
  • Lajme
  • Lajme / Mesazhet në grup

    “Ndjej keqardhje” – Abdixhiku flet për komunikimet në Viber’in e Kryesisë së LDK’së që i publikoi Reporteri

    Reporteri
    14 Prill 2025 | 22:23
    Foto ilustrim nga arkiva

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka folur për komunikimet e brendshme të Kryesisë së LDK’së, që i publikoi Gazeta Online Reporteri.net, ku flitej për “skemë të organizuar kriminale” lidhur me votat e mërgatës me postë.

    Abdixhiku ka thënë se ndjen keqardhje që këto diskutime dolën në publik, meqë ka forume partiake. Shtoi se e merr përgjegjësinë për mesazhet që rrodhën nga Kryesisa, duke shtuar se vetë e ka zgjedhur dhe se secili nga 40 emrat është propozuar nga vetë ai.

    “Unë ndjej keqardhje që diskutimet bëhen publik sepse ka forume partiake ku mund të bëhen. Ndjej keqardhje për më tepër edhe për argumentet e përdorura në këtë drejtim sepse janë argumente që shumë  përkojnë me kundërshtarët tanë politikë e atëhërë s’ka kuptim”, ka deklaruar Abdixhiku.

    Abdixhiku tha se të gjitha diskutimet i kryen në forumet e partisë, teksa shtoi se nuk ka asnjë ankesë për asnjë anëtar të LDK’së.

    I pyetur specifikisht për përplasjen me Avdullah Hotin dhe kërkesën e tij për lidership të ri në LDK, Abdixhiku tha se i ka ofruar të gjitha por se nuk ka pasur interesim.

    “Nuk kam asnjë ankesë për asnjë anëtar të LDK’së, e as për ndonjë anëtar dege. Unë u jam drejtuar organeve të partisë dhe kam ofruar gjithçka në tavolinë. Kam thënë nëse dojnë Kuvend, shkojmë Kuvend.  Unë i thërras të gjithë të më sfidojnë.”, ka deklaruar Abdixhiku në RTV Dukagjini.

    “Të kapërcejmë diskutimet individuale. I ftoj të më sfidojnë në forumet e partisë. Përndryshe është për keqardhje. Tani unë dëshira individuale të njerëzve s’mund t’i plotësojë.  Nuk ka interes”, ka shtuar Abdixhiku.

    Lidhur me akuzat e ngritura brenda partisë për vjedhje të votave të mërgatës, Abdixhiku e ka cilësuar si absurde këtë çështje.

    “E para kjo çështja e vjedhjes së votës ndërpartiake është aq absurde saqë është refuzu prej tri instancave që unë i besoj, KQZ, PZAP dhe Suprmees”, tha Abdixhiku.,

    Ai tha se ka kërkuar nga të gjithë në parti që nëse kanë ndonjë fakt, t’i drejtohet Prokurorisë.

    “Mrena i kemi trajtu. Unë ndjej keqardhje që kanë vendos me ba betejën jashtë forumeve të partisë. Ne iu kemi thanë urdhnoni qitni faktet, dërgoni në prokurori. …Unë nuk pretendoj e as nuk dëshiroj që dikush prej partisë duhej të mbrojë dikë që manipulon me votë të brendshme….Kam bërë thirrje bazike që siç duhet të bëjë secili njeri”, tha Abdixhiku.

    Ndryshe, Reporteri.net kishte publikuar një seri të bisedave mes anëtarëve të Kryesisë së kësaj partie në grupin në Whatsapp dhe Viber.

    Një prej tyre ishte përplasja në “Viber” mes Kujtim Shalës dhe Arben Gashit. Ish-shefi i grupit parlamentar të LDK-së po këmbëngulte se ka pasur vjedhje të votave brenda LDK-së dhe insistonte që skemës, që sipas tij u orkestrua nga disa bashkëpartiakë, t’i vihet emri “skemë e organizuar kriminale”.

    “Faktet po ulërasin o Kujtim. Ti duhet me u pajtu me shqetësimin, për krimin qe ka ndodhë”, shkruante Arben Gashi në grupin në “Viber” të kryesisë qendrore të LDK-së.

    “Asnjë manipulim nuk është i tolerueshëm”, i përgjigjej Kujtim Shala. “Për të gjitha”, vazhdonte numri 2 i listës zgjedhore të LDK-së.

    “Kujtim, qitja emrin, nuk është manipulim, është skemë e organizuar kriminale. Pa e identifiku sakt problemin nuk mundemi me e shpëtu partinë”, insistonte Arben Gashi në mesazhin në grupin në “Viber” të kryesisë së LDK-së.

     

    “Kujtë qitja emrin… skemë e organizuar kriminale” – përplasja në “Viber” mes Shalës e Gashit për votat e diasporës

     

    Reporteri.net e kishte publikuar edhe mesazhin që kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku ia kishte dërguar Avdullah Hotit në Viber, si kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë për shqetësimet që i kishte ngritur ish-kryeministri në të njëjtën bisedë të brendshme për votat e mërgatës.

    Abdixhiku e niste këtë mesazh me “Përshëndetje Avdullah”. Aty Abdixhiku thotë se është i brengosur vetëm për votat e partisë.

    Për kryetarin e LDK-së akuzat për vjedhje të votave brenda listës zgjedhore të partisë dhe insistimi në “strukturë të organizuar kriminale” nuk ishin brengë. Sipas tij s’do të duhej të ishin as për bashkëpartiakët e tij. I quante “luks momental”, që s’habitej që disa i kishin.

    “Jam i interesuar që LDK të fitojë mandatin e 21-të. Këto çështjet tjera janë luks momental të cilën dhe nuk habitem që e keni. Sikur të ishim të gjithë të brengosur për këtë gjë, i kishim pas punët shumë më mirë”, shkruante Abdixhiku në “Viber”, derisa i përgjigjej vetëm shqetësimeve të Avdullah Hotit, i cili pajtohej me kërkesën e anëtarëve tjerë të kryesisë së LDK-së që kërkonin që situatës t’i vihej emri: “skemë e organizuar kriminale”.

    “Skemë kriminale”, gjendjen me votat me postë brenda listës zgjedhore të LDK-së e kishte emërtuar edhe anëtari tjetër i kryesisë Shkëmb Manaj. Një mesazh të tij që akuzonte partinë për vjedhje të votave, të cilin Manaj e kishte dërguar në një nga grupet e brendshëm të komunikimit të Kryesisë së partisë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!