Disa pjesë të Kosovës mbetën pa rrymë edhe në natën e ndërrimit të motmoteve, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Qytetarët raportuan për ndërprerje në shumë zona. Ndërprerje të rrymës pati në shumë fshatra të Vitisë. Një reagim të ashpër pati edhe vetë kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti. Ai përmes një shkrimi në Facebook përgjegjës i ka bërë Qeverinë, pasi, siç tha, kanë dështuar të menaxhojnë si duhet këtë çështje.
“Është e papranueshme që në këtë shekull, të mos jemi në gjendje të planifikojmë dhe të sigurojmë një furnizim të qëndrueshëm për qytetarët tanë. Përgjegjësia për këtë situatë është e qartë: qeveria dhe ministria përkatëse kanë dështuar të menaxhojnë si duhet këtë çështje kaq thelbësore. Kjo është një pasqyrë e qartë e mungesës së planifikimit, përkushtimit dhe përgjegjshmërisë ndaj nevojave bazë të qytetarëve. Kjo situatë nuk është thjesht një sfidë – është një dështim që nuk mund të tolerohet më.
Së bashku, duhet të kërkojmë llogaridhënie dhe veprime konkrete për të mos lejuar përsëritjen e kësaj papërgjegjshmërie”, shkroi Ahmeti.
Errësirë pati edhe në disa fshatra të Rahovecit. Fshati Ratkoc publikoi pamje në Facebook, ku shihet se është kapluar nga errësira e plotë si shkak i mungesës së energjisë elektrike.
“Fshati Ratkoc në TERR, nata e vitit të ri 2025!”, thuhet në mbishkrimin e fotografive të shpërndara në ‘Facebook’ në faqen e këtij fshati.
Rrymë nuk pati as në disa pjesë të Istogut. KEDS doli me një njoftim duke bërë të ditur se shkaku i një prishjeje, disa pjesë në Istog dhe në disa fshatra përreth kanë mbetur pa rrymë.
“Largpërçuesi Gurrakoci 35kV aktualisht është jashtë funksionit, shkaku i një prishjeje, duke afektuar një numër të caktuar të konsumatorëve të Istogut dhe disa fshatrave përreth.
Ekipet e KEDS-it ndodhen në terren për të eliminuar prishjen dhe besojmë shumë shpejt do të kthehet në funksion”, thuhej në njoftimin e tyre në Facebook.
Për ndërprerje të rrymës qytetarë të shumtë raportuan se ka pasur edhe në Gjilan e Gjakovë.
Gjatë ditës së djeshme, kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë (KEDS) u ka bërë thirrje qytetarëve që gjatë ndërrimit të moteve të kursejnë energjinë elektrike kudo që është e mundur.
Edhe pse ka thënë se janë angazhuar që konsumatorët të kremtojnë me drita, kompania ka bërë thirrje që të kihet kujdes me ngrohjen me energji elektrike.
E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në adresimin e tij të fundit për këtë vit, është munduar ta arsyetojë mungesën e energjisë elektrike që ka prekur shumë qytetarë të Kosovës në natën e ndërrimit të moteve.
Kurti përmes një video në profilin e tij në Facebook tha se ndërprerja e energjisë elektrike, nuk është rezultat i mungesës së rrymës, por i konsumit të lartë të energjisë, që po e sfidon rrjetin e transmisionit./Reporteri.net/